Vlorë/ Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë 2 vëllezër

17/11/2020 14:17

Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në rrugën “Ismail Qemali”, pranë parkut “Aulona”, lëvizte një shtetas i dyshimtë, kanë ushtruar kontroll në këtë zonë dhe kanë konstatuar një shtetas që kishte ngjashmëri me përshkrimin e dhënë, i cili shoqërohej edhe nga dy persona të tjerë.

Në momentin që shërbimet e Policisë i kanë dhënë urdhër për të ndaluar, shtetasi A. Xh. ka kundërshtuar urdhrin e tyre. Gjatë shoqërimit të shtetasit A. Xh. për në Komisariat, punonjësit e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga vëllezërit e tij, shtetasit F. Xh. dhe Xh. Xh.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të tjera, këta shtetas janë ndaluar dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë të shtetaseve F. Xh., 25 vjeç dhe Xh. Xh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin A. Xh., 21 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel