Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar kreut të PD-së Lulzim Basha që të sqarojë publikun se cfarë roli ka luajtur në masakrën e Krushës.

Rama thotë se nuk e akuzon ai Bashën, por janë vetë dëshmitarët që e bëjnë fajtor. Ai thekson se sa më shumë zgjedh që të heshtë, aq më shumë bëhet i dyshuar në sytë e të gjithëve dhe zgjidhja më e mirë është që të sqarojë situatën.

Rama i kërkon atij që të sqarojë se përse partia që ai drejton, dje në qeveri e votoi pro rezolutën e Këshillit të Europës, ngritur mbi raportin famëkeq të Dick Marty, të cilin Partia Socialiste, e votoi kundër. Sipas kryeministrit, t’i bësh bisht kësaj në këtë rast amplifikon akuzat, ndërsa mbrojtja absurde duke bërë viktimën e një komploti politiko-mediatik dhe duke i sulmuar harbutërisht dëshmitarët si mashtrues, i konfirmon ato.

“Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën! Vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mos shpjegimet e tij tipike për dikë që fshihet, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulëzimin në një të akuzuar, që sa më shumë i bën bisht përballjes me akuzat e disa dëshmitarëve në Kosovë, të cilët as i njoh e as i kam takuar kurrë, aq më i dyshimtë duket në sytë e publikut! Në këtë mes unë kam vetëm një rol, atë që më takon: T’i kërkoj Lulëzim Bashës t’i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse i’a kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk i’a kërkojnë dikujt tjetër?! Dhe pse sipas tij, partia që ai drejton, dje në qeveri e votoi pro rezolutën e Këshillit të Europës, ngritur mbi raportin famëkeq të Dick Marty, të cilin Partia Socialiste, e votoi kundër?! Ai duhet të përgjigjet, sepse Lulëzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e deri edhe me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët. Bishtnimi në këtë rast amplifikon akuzat, ndërsa mbrojtja absurde duke bërë viktimën e një komploti politiko-mediatik dhe duke i sulmuar harbutërisht dëshmitarët si mashtrues, i konfirmon ato!”, shkruan Rama.

21 vite më parë Krusha e Madhe u bë dëshmitare e një prej masakre të paprecedent në historinë e Europës Moderne. Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATOS ndaj Serbisë, në atë vend më 24 mars të vitit 1999, forcat serbe që kishin rrethuar fshatin gjetën grupe familjesh krushiane prej të cilave ekzekutuan 243 persona, 63 prej tyre ende nuk u janë gjetur trupat.

Ndërsa Milaim Bellanica, arriti të filmonte masakrën e Krushës së Madhe dhe akuzon Lulzim Bashën se ia ka marrë ai atë kasetë.

Top Channel