Prokurorët gjermanë kanë njoftuar se kanë akuzuar një punonjës të zyrës për media të qeverisë, për spiunim për një shërbim inteligjent egjiptian.
Të hënën, prokurorët federalë thanë se burri i identifikuar vetëm si Amin K, kishte përdorur pozicionin e tij në zyrën për media (për shërbim të vizitorëve), për të marrë informacion për Shërbimin e Përgjithshëm të Inteligjencës së Egjiptit (GIS).
Sipas prokurorëve, i dyshuari shtetas gjerman me origjinë nga Egjipti, filloi të merrej me spiunazh që nga korriku i vitit 2010, me udhëzime të ambasadës egjiptiane në Berlin.
Ai po akuzohet për përpilimin e raporteve mbi politikën e brendshme dhe të jashtme të Gjermanisë në lidhje me Egjiptin, duke shfrytëzuar pozitën e tij në zyrën për media.
Po ashtu, prokurorët thonë se ai ishte përfshirë edhe në një përpjekje të pasuksesshme për të rekrutuar agjentë për GIS në vitin 2014 dhe 2015.
Në këmbim të këtij shërbimi, i dyshuari shpresonte që familja e tij në Egjipt do të merrte trajtim të veçantë nga autoritetet atje.
Sipas prokurorëve, mbikëqyrësi i tij ndihmoi nënën e të dyshuarit të merrte të drejta pensioni në Egjipt dhe ai herë pas here ishte i ftuar në pritje në ambasadë.
Ky rast u zbulua në muajin korrik, pasi u përmend në raportin vjetor të agjencisë së brendshme të inteligjencës gjermane.
Zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Martina Fietz kishte thënë se ata që punojnë në shërbim të vizitorëve, nuk kanë pasur qasje në bazat e të dhënave të tjera në zyrën e mediave, përfshirë edhe ato që përmbajnë detajet e akreditimit të gazetarëve.
I dyshuari përballet me burgim deri në pesë vjet, nëse shpallet fajtor për spiunim për një agjenci të huaj të inteligjencës.
Top Channel