Buxheti 2019, Bushati: Disiplina e financave e lehtësitë ndaj biznesit parandaluan krizën nga pandemia

16/11/2020 14:26
Deputeti Ervin Bushati

Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Ervin Bushati, në fjalën e tij në Kuvend gjatë diskutimeve për Buxhetit Faktik 2019, u shpreh se disiplina e financave publike përgjatë viteve paraardhëse, por sidomos masat lehtësuese të qeverisë për biznesin, kanë bërë që vendi ynë të përballojë me sukses një vit të vështirë ekonomik si 2020-ta, për shkak të pandemisë globale.

“Buxheti i vitit 2019, para një viti të vështirë si 2020-ta, ka bërë një punë shumë të mirë për të parandaluar një krizë që do të kishte qenë më e madhe në qoftë se nuk do kishim pasur një sjellje të përgjegjshme të financave publike në Shqipëri. Ka qenë detyrë e kësaj maxhorance që të punonte më të gjitha vitet paraprirëse, për të përmirësuar financat publike, pikërisht që në raste të vështira si ky që kaluam, të kishim një lloj amortizimi ndaj çdo shoku që vinte jashtë kontrollit të faktorëve qeveritarë, jashtë faktorëve të tregut, – në fakt situata të papërballuara në të gjithë botën dhe të paparashikuara, siç ishte pandemia botërore 2020,” u shpreh Bushati.

Deputeti socialit tha se të gjithë treguesit makroekonomikë për vitin 2019 ishin pozitivë: “Rritja për vitin 2019 ishte 2.2%. Papunësia është ulur në nivel rekord, duke arritur në 11.6%. Borxhi publik në trend uljeje, duke arritur në 66.2% në raport me GDP.”

Kjo sipas tij e ndikuar edhe nga një sërë masash që ekonomia të ishte më e përgatitur.

“Sektori i bujqësisë dhe agroturizmi patën një reagim shumë të mirë me gjithë pandeminë e krizën botërore, kjo falë masave të marra, si: përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore dhe reduktimi i shkallës së tatim-fitimit korporativ nga 15% në 5% për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor dhe për subjektet që operojnë në fushën e agroturizmit. Biznesi i vogël dhe i mesëm, – e para, reduktimi i normës së tatim fitimit, nga 15% në 5% për bizneset me të ardhura deri në 14 milion lekë, masë që për këtë kategori u hoq në vitin 2020; ulja e ngarkesës fiskale për të punësuarit, duke rritur fashën e të ardhurave që tatohen në normën mbi 13%, nga e cila përfituan 15.400 punëmarrës në Shqipëri; përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason. Në biznesin prodhues kemi 3 masa të tjera që ndihmuan për të pasur një vit më të lehtë: e para, reduktimi i normës së dividentit, nga 15%, në 8%; reduktimi i shkallës së TVSh-së, nga 20% në 6% për furnizimin e reklamave audiovizive, furnizimin e librave dhe mjeteve të transportit me kapacitet 9+1; e treta ka të bëjë me uljen me 2/3 të nivelit të taksave të produkteve të plastikës dhe zgjerimin e bazës së taksave për produkte të tjera të plastikës, ulja e nivelit të taksës për ambalazhet e qelqit, që ul koston e prodhimit të produkteve dhe për prodhimin brenda vendit, vendosja e taksës mbi lëndët primare të importuara për prodhimin e mallrave plastike, përfshirë ambalazhin. Masë tjetër e rëndësishme për të rritur përpunimin e mineraleve në vend ishte rritja e rentës minerare për mineralin e kromit që eksportohet,” tha Ervin Bushati.

Top Channel