Këshilltari presidencial i Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev deklaroi se i kanë dhënë edhe 10 ditë afat Armenisë për të evakuuar qytetin nën pushtim Kalbajar.
Hajiyev në një konferencë për media bëri të ditur se qeveria e Jerevanit me ndërmjetësimin e Rusisë ka kërkuar edhe pak kohë për t’u larguar nga Kalbajari. Ai theksoi se edhe Azerbajxhani duke treguar humanizëm ka pranuar të zgjasë afatin deri më 25 nëntor.
“Kushtet e motit në rajon janë vështirësuar dhe rruga e vetme në atë drejtim Zod-Varnenis është një rrugë e ngushtë”, tha Hajiyev i cili shtoi se Azerbajxhani duke marrë parasysh këto kushte i dha kohë shtesë Armenisë për largimin e civilëve.
Ai rikujtoi se popullata armene në Kalbajar është vendosur atje në mënyrë ilegale pas pushtimit të kryer në vitin 1993.
Në kuadër të marrëveshjes që u arrit me ndërmjetësimin e Rusisë më 10 nëntor mes Azerbajxhanit dhe Armenisë pritej që ushtria armene të largohej nga Kalbajari më 15 nëntor.
Top Channel