Pas dy barazimeve radhazi në kampionat, që turbulluan disi ambientin, Laçi rigjen qetësinë, sepse mposhti 3-1 me përmbysje Egnatian dhe u kualifikua për në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Skuadra rrogozhinase tregoi se nuk kishte ardhur për shëtitje në Laç dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 25-të me anë të Jackson.
Më pas skuadra e drejtuar nga Gugash Magani, u rreshtua mirë në prapavijë dhe arriti të ruajë avantazhin deri në minutën e 85-të, kur braziliani Teco arriti të rikthejë baraspeshën dhe të mbajë në lojë kurbinasit.
Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1 dhe pas një pushimi fare të shkurtër, skuadrat iu drejtuan sërish fushës, për të luajtur 30 minutat shtesë, ku edhe u përcaktua ekipi që do të vijojë më tej aventurën në Kupën e Shqipërisë.
Kështu në minutën e 107’, kurbinasit e drejtuar nga Armando Cungu fituan një penallti, të cilën e ekzekutoi saktë sulmuesi kryesor i skuadrës, Kyrian Nwabueze, ndërsa në sekondat e fundit Laçi gjeti edhe golin e tretë, që vulosi kualifikimin.
Top Channel