Bilanci i pandemisë/ Mbi 1.3 milionë viktima në botë

14/11/2020 15:55

Më shumë se 1.3 milionë njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri në të gjithë botën, sipas të dhënave nga burime zyrtare të mbledhura nga AFP.

Në total, ka të paktën 1.303.783 viktima për 53.380.442 raste të deklaruara të covid 19 edhe pse ekspertët thonë se të dhënat zyrtare ka gjasa të përfshijnë vetëm një fraksion të numrit total të infektimeve dhe viktimave.

Rastet e reja dhe numri i viktimave po rritet sërish ndërsa një valë e dytë infektimesh ka prekur Evropën dhe shtetet e bashkuara. Pothuajse një në pesë viktima është regjistruar në SHBA, ndërsa Brazili është vendi i dytë më i prekur në botë, i ndjekur nga India, Meksika dhe Britania e madhe.

Bota ndërkohë i është gëzuar këtë javë lajmit për një avancim të madh në kërkimet për vaksinën kundër koronavirusit, por një ekspert i OBSH paralajmëroi se keqinformimi dhe mosbesimi i publikut do ti bënte vaksinat të padobishme.

SHBA raportoi më shumë se 184 mijë raste të reja koronavirusi të premten, shifër kjo më e larta që nga fillimi i pandemisë, dhe 1431 viktima. Në total, SHBA ka mbi 10.7 milionë raste koronavirusi dhe 244 mijë viktima. Ndërkohë në të gjithë vendin, vetëm të premten, u shtruan në spital mbi 68 mijë të prekur nga koronavirusi.

Top Channel