Meta takon kreun e OBSH për Evropë: Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor

13/11/2020 12:19

Presidenti Ilir Meta ka takuar drejtorin e OBSH për Evropën, Dr. Hans Kluge, me të cilin thekson se ka diskutuar mbi përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë dhe masat efektive të menjëhershme.

Meta shkruan në ‘Facebook’ se në takim ka theksuar “evojën e rritjes së buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë”.

Postimi i Metës

Zhvillova sot një takim të frytshëm me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Dr.Hans Kluge.

Diskutuam për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.

Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë.

Është tepër e domosdoshme rimbursimi i shpenzimeve për barnat dhe shërbimet për të sëmurët me COVID-19, veçanërisht të pensionistëve e qytetarëve në nevojë, të cilët trajtohen në banesë dhe që për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta ekonomike.

Top Channel