Kina uron Joe Biden për fitoren: Respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan

13/11/2020 16:41

Kina i ka ofruar sot përgëzime demokratit Joe Biden, një javë pasi ish-zv. presidenti shpalli se ka marrë mjaftueshëm vota për të qenë presidenti i radhës në SHBA.

“Ne e respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan dhe shprehim përgëzime për zotin Biden e zonjën Harris,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin, duke iu referuar gjithashtu zv. presidentes së zgjedhur Kamala Harris.

Por Wang nuk e quajti Biden “president të zgjedhur” dhe shtoi se Kina e kupton se rezultati do të konfirmohet sipas procedurave të ligjit amerikan.

Mes liderëve të tjerë që kanë përgëzuar Biden për fitoren janë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri britanik Boris Johnson.

Ndërsa Kina nuk kishte dërguar mesazh duke i dhënë zë spekulimeve se Pekini do të presë derisa rezultati të konfirmohet zyrtarisht, për të mos u dukur se po favorizon asnjëren palë apo se përzihet në politikat e brendshme amerikane.

Lu Xiang, specialist në Akademinë kineze të Shkencave Sociale tha se vendi ka përgëzuar Biden si kandidati në avantazh, por pranon se pala tjetër ende nuk ka hequr dorë.

“Kjo mund të ketë ardhur pasi mediat amerikane sapo dhanë njoftimin se Biden ka fituar në Arizona”, tha ai.

Në katër zgjedhjet e mëparshme amerikane, presidenti i Kinës i ka dërguar presidentit të zgjedhur amerikan një mesazh personal urimi një ditë pas zgjedhjes, çka në këtë rast nuk ka ndodhur.

FOTO GALERI
2/3
Pekini ofroi gjithashtu urime per Kamala Harris

Top Channel