Dëshmitari i Masakrës: Kasetën ja dhashë Bashës. Kryetari i PD: Nuk e njoh këtë njeri

12/11/2020 22:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka mohuar se ka pasur një kasetë për masakrën e Krushës së Madhe.

Basha ka deklaruar se as nuk e njeh personin që thuhet se paska bërë xhirime.

Unë nuk e njoh këtë person që thotë se unë paskam pasur kasetë për masakrën e Krushës së Madhe dhe e fshinkam. Pse duhet ta fsheh këtë material kur janë publikuar momente nga Masakra e Krushës së Madhe.

Këtu ka një dorë që fabrikon të dhënat. Kjo është përpjekje e ulët për të hequr vëmendjen nga skandalet e kësaj qeverie. Ditën që Thaçi e Krasniqi ishin në Hagë, Rama ishte me Vuçiç. Më shqetëson sjellja e kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës”, deklaroi Basha.

Top Channel intervistoi Milaim Bellanica  që është njëri nga dëshmitarët që panë me sytë e tyre trajtimin çnjerëzor të popullatës civile në Kosovë nga ushtria serbe në Krushë të Madhe të Rahovecit. Por, ndryshe nga të tjerët, Milaimi mori guximin që të gjironte ngjarjen makabre me shpresën se në të ardhmen do të përdorën kundër Serbisë.

Gjatë marsit të 99-ës, me kamerën e tij arriti t’i gjiroj 30 viktima të djegura e masakruara në pesë lokacione të ndryshe të fshatit, poashtu dëshmi të ushtarëve që tregonin se synonin që në Krushë të Madhe të shkaktonin 500 viktima.

Por, këto xhirime asnjëherë nuk përfunduan aty ku duhet. Gjatë qëndrimit në Kukës, një ekip i rrjetit televiziv britanik, BBC-së kishin rënë në kontakt me të, ku kishin transmetuar vetëm 2 minuta nga xhirimet.

Si rrjedhojë, atë e kishte takuar Lulëzim Basha i cili i kishte kërkuar materialin. Ai tregon se pas luftës është takuar vetëm një herë me të me qëllimin e vetëm që t’i siguronte dëshmitë. Krusha e Madhe mbetet një ndër vendet ku forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kryen një prej masakrave më të mëdha gjatë luftës. Në këtë masakër makabre u vranë 243 persona, prej të cilëve 63 personave ende nuk u janë gjetur trupat.

 

Lexoni edhe: https://top-channel.tv/2020/11/12/videon-e-masakres-e-ka-basha-deshmitari-i-masakres-se-krushes-kaseta-nuk-perfundoi-atje-ku-duhet/

Top Channel