Topalli: Basha, jo kryeministër/ Kushti për të bashkuar votat e partisë së saj me PD-në pas zgjedhjeve

11/11/2020 15:18

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli është duke ndërtuar një parti të re të së djathtës, pak muaj para zgjedhjeve.

Këtë rikthim në politikë, Topalli po e bën për shkak se është ndjerë e përjashtuar nga partia demokratike dhe për këtë bën përgjegjës kryetarin Lulzim Basha. Topalli tha dje në emisionin “Open” se ajo kishte luftuar në PD prej vitit 2013 kundër qëndrimeve që mbante kryetari Basha dhe për shkak të qëndrimit të saj, ajo tha se u përjashtua. Topalli përsëriti sërish akuza të ashpra për kryetarin Basha duke thënë se nën drejtim e tij PD është përgjysmuar.

Ajo ftoi të gjithë demokratët që të bashkohen me të për të rrëzuar treshen Rama, Meta Basha. E pyetur se çdo të bënte pas zgjedhjeve nëse opozitës i duhej edhe vota e Topallit për të krijuar qeverinë, ish-nënkryetarja e PD-së tha se do bashkonte votat me PD-në, por me një kusht. Largimin e Lulzim Bashës.

Topalli pak ditë më parë shpalli lëvizjen e re politike dhe është duke punuar për të përfunduar procedurat e krijimit të partisë së re për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.

Top Channel