Rama i ashpër me opozitën: Çetë e çakërdisur pa vizion, duan t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik!

11/11/2020 19:30
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe njëherë ndaj opozitës, duke deklaruar se ajo synon të fusë ankth te qytetarët si e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet.

Duke e konsideruar opozitës një çetë të çakërdisur, kryeministri thotë se synimi i saj është paniku.

Rama shprehet se spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps dhe se ka shtretër të lirë, ndërsa shton se protokollet që përdoren në Evropë nuk mungojnë në spitalet e vendit tonë dhe thotë se në vijim do publikojë të tjera pamje.

Reagimi i plotë:

Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3!

Duan t’ju fusin ankthin, t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik, për “spitalet në kolaps”, “të sëmurët që dergjen dyshemeve”, “situatën jashtë kontrollit” dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t’u rikthyer në pushtet…

Por siç e patë dhe siç do ta shihni edhe në pjesët e tjera EKSKLUZIVE me pamje e dëshmi, spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps, shtretërit e lirë nuk mungojnë, pacientët trajtohen me dinjitet, respekt, profesionalizëm, asnjë protokoll mjekësor anti-Covid që përdoret sot në Evropë nuk mungon dhe shifrat e tregojnë qartë, që niveli i infektimeve e i humbjeve të jetëve s’është aspak ndryshe nga askund në Evropë, ashtu sikundër tregojnë se niveli i shërueshmërisë në spitalet tona është i lartë, si kudo, pavarësisht fataliteteve që njësoj si në të gjithë botën fatkeqësisht nuk mungojnë.

KINI BESIM, BËNI DURIM, JINI TË KUJDESSHËM PËR VETEN E TË DASHURIT TUAJ, RESPEKTONI RREGULLAT, MOS BINI PRE E LAJMEVE TË RREME, FABRIKIMEVE POLITIKO – MEDIATIKE DHE TEORIVE TË KONSPIRACIONIT!

KEMI PËRPARA EDHE DISA MUAJ TË VËSHTIRË, POR DO T’IA DALIM EDHE KËSAJ LUFTE TË EGËR DHE DO TË DALIM MË TË FORTË NGA KY STËRMUNDIM I MADH!

Top Channel