Hetimet për UÇK, Taulant Balla: Lulzim Basha i përfshirë në maskaradë antikombëtare. Futi në Shqipëri fshehurazi si turist ekspertin e OKB-

10/11/2020 09:49

“Lulezim Basha i detyrohet një përgjigje shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, ku duhet të sqarojë rolin e tij tepër të dyshimtë e tinëzar në lidhje me hetimin e luftës së UÇK-së, si dhe në lidhje me të ashtuquajturat “burgjet e UÇK” në Shqipëri”, shkroi pak minuta më parë në Facebook, Taulant Balla.

Më tej, Balla shtoi:

“Jam i bindur që këtë detyrim nuk do ta bëjë, por të paktën t’u kthejë përgjigje demokratëve, të cilët duhet të dinë rolin e Kryetarit të tyre de jure në këtë maskaradë antikombëtare, ku viktimat e gjenocidit serb po trajtohen si kriminelë, e ku lufta çlirimtare po akuzohet për krime lufte. Lulezim Basha rezultoka të ketë futur në Shqipëri fshehurazi si turist ekspertin e OKB-së dhe duhet të shërbejë si dëshmitar i penduar kundër shpifjeve e trillimeve ndaj luftës së UÇK. Në këtë video është gjithçka e qartë”.

Eksperti i OKB-së, antropologu ligjor Jose Pablo Baraybar, me origjinë peruane që ka punuar në shumicën e skenave të krimeve të luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë ka mundur të hyje dy herë në Shqipëri, duke u prezantuar si turist apo inxhinier rrugësh në shkurt të vitit 2004, për të vizituar “Shtëpinë e Verdhë”, në veri të vendit, e përmendur edhe në raportin e Dick Marty-t, për trafik organesh. Në një intervistë për gazetën “Le Temp”, një nga më të rëndësishmet në Zvicër, ai tregonte në vitin 2010 si mundi të vijë në Shqipëri dhe se kush ishte përkthyesi që e shoqëroi.

“Përkthyesi im quhej Lulzim Basha. Ai punonte për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Me pas u bë ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe e kam dëgjuar vitin e kaluar të thotë se kjo histori e organeve ishte broçkulla. Ndërkohë që unë e di që ai e di. Ai ishte me mua. Ai kishte dosjen”, tha ai.

Po përse iu desh të hiqej si turist apo inxhinier rrugësh?

“Problemi më i madh ishte se UNMIK-u nuk kishte juridiksion mbi Shqipërinë. Ishte e pamundur të bëje një kërkesë zyrtare, prandaj për të tentuar të verifikoja disa informacione të dosjes, kalova si turist me një makinë mëse të zakonshme”, tha ai.

Pak ditë më vonë, eksperti peruan në një intervistë për Top Channel ne vitin 2010, konfirmon se në Kukës duke kërkuar si turist burgjet e UÇK-së dhe varrezat e supozuara të viktimave të UÇK-së ishte së bashku me Lulzim Bashën.

Top Channel