Përfundon takimi me naftëtarët/ Rama: Paga s’është çështje e qeverisë, do i mbështesim financiarisht

09/11/2020 20:28

Pas rreth 2 orësh bisedime me përfaqësinë e naftëtarëve, kryeministri Rama tha se oferta e qeverisë për të gjithë naftëtarët është një pagë e ndërmjetme mes pagës minimale dhe pagës së punëtorëve deri në gjetjen e një investitori që do të rivendosë në punë rafinerinë e naftës.

Rama u shpreh se kjo është ofertë e qeverisë, pavarësisht se ky problem nuk është krijuar nga qeveria.

“Çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne. Rruga thjesht ligjore, ishte të drejtoheshin në zyrën e punës për të marrë asistencën. Por, në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë eksperiencë në një fushë që ne nuk kemi luksin ta zhbëjmë dhe për këtë arsye, ne u kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës, pasi rafineria është e fikur. Paga e prapambetur nuk është çështja jonë, por marrëdhënia e tyre me kompaninë. Privatizimi ishte skandaloz, një lojë kriminale nga qeveria e mëparshme. Qeverisë i takon të adresojë këtë hall. Ne nuk jemi dorëzuar në lidhje me të ardhmen e kësaj rafinerie, pasi ajo nuk është për skrap. Greva nuk ekziston si opsion. Në kushte grevash unë nuk negocioj. Ne marrim përsipër të paguajmë. Atë mund të bëjnë punë të tjera. Ne nuk duam t’i humbasim për sa kohë që rafineria nuk është një kauzë e humbur dhe duhet çuar për skrap”.

Ndërkohë kreu i sindikatës së naftëtarëve, pas takimit me kryeministrin u shpreh se oferta e qeverisë për një pagë të ndërmjetme deri në rifillimin e punës së rafinerisë do të diskutohet me të gjithë naftëtarët dhe do të vendosin se çfarë do të bëjnë.

Top Channel