“Hetimi i UÇK”, Replika Rama-Basha/ Kryeministri i kërkon sqarime kryetarit të PD për të kaluarën

09/11/2020 15:11

Kryeministri Edi Rama ngulmoi përsëri sot të pasjen e  një përgjigje nga Lulzim Basha, për rolin e tij kur ishte pjesë e UNMIK në Kosovë.

“Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin! “Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë” Human Right watch””, tha Rama.

Por nga Lulzim Basha mori të njëjtën përgjigje si një ditë më parë. Asnjë fjalë për punësimin në UNMIK.

Të gjithë e kuptojnë se ti gënjen e shpif vetëm për të larguar vëmendjen nga pyetjet që ju interesojnë vërtet qytetarëve: Pse qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID si rezultat i dështimit tënd?Pse spitalet janë mbushur plot dhe të sëmurët dergjen në ambulanca dhe korridore?”, tha Basha.

Edi Rama e ftoi Bashën përsëri të shpjegohet se çfarë ka bërë në Kosovë.

“Sharjet e akuzat qesharake për mua si fajtor pse në Shqipëri numrat e të infektuarve po rriten si kudo, s’të mbrojnë dot nga kjo hije e të kaluarës që këto ditë të rênda për Kosovën, vetëm zmadhohet e rëndohet nga bishtnimi yt! Dil sqaro rolin tënd në atë raport të turpshëm”, tha Rama.

Lulzim Basha përsëri nuk i ktheu  përgjigje për atë çfarë e pyeste Rama.

 “Rama shkatërroi ekonominë dhe tani po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve. Edhe sa shqiptarë duhet të humbin jetën për fajin e tij?”, tha Basha.

Edi Rama nuk u ndal. Heshtjes së Bashës i bëri këtë koment.

“Lulëzim sa më shumë i shmangesh përgjigjes për kontributin tënd në raportin e Dick Marty,aq më shumë e pranon faktin e tmerrshëm se je pjesë e asaj loje të ulët për njollosjen e UÇK,ndërkohë që unë nuk dua ta besoj këtë dhe të bëj thirrje të dalësh e ta sqarosh popullin shqiptar”. u shpreh Rama.

Edhe në Twitterin e fundit Lulzim Basha preferoi ti qëndroj larg asaj çfarë,  ka bërë në vitet kur punonte për departamentin e drejtësisë në UNMIK.

“Rama vazhdon cicërimat në vend që të bëjë detyrën. Shqipëria është në kulmin e infektimit ndërsa Rama është mbërthyer pas Instagramit. Po të shkulej nga Instagrami, do ta shihte sa e rëndë është gjendja. Të sëmurët, familjet dhe mjekët i ka braktisur pa asnjë ndihmë”, u shpreh Basha.

Ndërsa numri dy i PS Taulant Balla thotë se “Partia Demokratike e Shqipërisë sot drejtohet nga një hetues i UÇK! Ne e dimë që Lulëzim Basha nuk ka këllqe të zbardhë rolin e tij në palo-raportet që paraprinë Raportin e Dick Marty-t,  kur me maskë mbi fytyrë merrte në pyetje komandantët e UÇK.  Taulant Balla thekson se “Komandantët e UÇK të mbajnë mend mirë Lulëzim edhe pse ti fshiheshe pas maskës dhe largove të gjithë shqiptarët e Kosovës nga grupi hetimor për të qenë i vetëm”.

Top Channel