Meta kthen në Kuvend ligjin për gjendjen civile: Një ndryshim i tillë ka potencialin për të krijuar kaos

08/11/2020 12:20

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për gjendjen civile.

Kreu i shtetit shprehet se një ndryshim i tillë i ligjit në këtë periudhë të procesit zgjedhor mund të krijojë kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor.

“Një ndryshim i tillë, në këtë fazë të procesit zgjedhor, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend”, thuhet në shkresë.

Midis arsyeve për kthimin siç shpjegon Presidenca, kreu i shtetit vlerëson se “ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zgjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike”.

Top Channel