“Luli dhe Mona i kanë bërë gati valixhet në 25 prill”/ Veliaj: Për Kopshtin Zoologjik dhe “Sami Frashërin” do flasë puna

08/11/2020 13:06

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e nisi mëngjesin e sotëm me një takim me stafin e Lagjes 13, ku u shpreh se projektet e mira sulmohen, por në fund për to flet puna.

“Kopshti i ri Zoologjik do të ketë më shumë hapësirë për kafshët, kurse bashkimi me Kopshtin Botanik do të vlejë për fëmijët, që të mësojnë florën, faunën, të jetojnë në natyrë. Por, sigurisht që si çdo gjë e mirë në qytet do të sulmohet. Nuk besoj se u habit njeri kur panë Saliun që gënjeu, kur tha që u tha liqeni. Fillimisht do heqim ujërat e zeza, që ish-Komuna e Saliut i derdhte të gjitha në Liqen, e pasi të pastrohet do të kthehet në një hapësirë për kafshët. Si Kopshti Zoologjik, si “Samiu”, kur të mbarojnë, do flasë puna”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se pavarësisht stërkëmbëshave të opozitës për të penguar punët e mira në qytet, transformimi nuk ndalet.

“Kur ndodh te “Samiu”, te Kopshti Zoologjik, në të gjitha hapësirat që po transformohen, siç ndodhi te Astiri, na duhet ta pranojmë se ky qenka sporti i tyre, ata nuk heqin dorë. Mjafton të shohësh letrat në Hagë të Lul Bashës, Saliut dhe të atyre që e votuan raportin e Dick Martit, nga koalicioni PD-LSI, e kupton që ata jo vetëm brenda nesh, përça e sundo, por edhe brenda gjithë shqiptarisë janë përça e sundo. Nuk duhet ta lejojmë këtë frymë! Duhet të kuptojmë se e kemi të lidhur fatin këtu. Ata kanë pasaporta holandeze, nuk kanë interes te shkollat tona. Sigurisht, acarohen kur bëjmë shkolla sepse ata nuk preken nga këto ndryshime. Për sa kohë ti e ke lidhur fatin me dikë tjetër, se bën Kopsht Zoologjik, se bën autostrada apo shkolla, je i painteresuar sepse nuk e ke lidhur fatin me Shqipërinë. Ne që e kemi lidhur fatin me këtë vend jemi të interesuar, por duhet të jemi edhe të bashkuar”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se ndryshe nga drejtuesit e opozitës, plani i vetëm i kësaj mazhorance është transformimi i Tiranës dhe i Shqipërisë.

“Nëse u kemi shërbyer të gjithëve njësoj dhe nuk kemi diskriminuar askënd te ndihma ekonomike, te pagesat e tërmetit, te shtëpitë e reja, atëherë e kemi me provë këtë që po themi me fjalë. Fryma jonë është që t’ju shërbejmë të gjithëve. Ata i kanë bërë valixhet gati, ndaj në 25 prill, po s’ju ra bingo, pasaportat aty i kanë, e kanë një plan B. Ne kemi vetëm një plan A, që është Tirana, lagjja jonë, Shqipëria dhe gjithë kjo energji pozitive për të transformuar vendin”, tha ai.

Veliaj shtoi se edhe zgjedhjet në Amerikë treguan se fryma e bashkimit dhe e bashkëpunimit është ajo që fiton.

“Pyetja është, a kemi gjëra që na bashkojnë, me të cilat mundemi të punojmë, apo do gjejmë ku kemi diferencat dhe të përçahemi? Besoj fort sinjali që erdhi nga Amerika, do jetë për gjithë botën, se me mashtrime, pengesa, stërkëmbësha, me rrena, me histeri, me teori konspiracioni, me urrejtje, ti mund të fitosh njëherë – Saliu ishte shembulli tipik i kësaj fryme, në vitet ’90, përça e sundo, i funksionoi perfekt – por jo gjithmonë, sepse eventualisht, njerëzit i bashkon më shumë e mira, e bukura, më shumë puna sesa dhuna, urrejtja e përçarja”, u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur në sfidat që janë përpara, kryetari i Bashkisë kërkoi prej stafit të Lagjes 13 përfundimin në kohë të atyre pak dosjeve që kanë mbetur për dëmshpërblimet e tërmetit.

Por, krahas projekteve. Veliaj vizitoi edhe familjen e Ibrahim Kostës, shtëpia e të cilit nisi të rindërtohet sot e do të jetë gati brenda Vitit të Ri.

“Në lagjen 13 janë 5 shtëpi që do të rindërtohen. Për ne se janë 5, se janë 500, se janë 5 mijë, kanë të njëjtën rëndësi sepse në çdo shtëpi, është një burrë, një grua, fëmijët që kanë lidhur jetën. 99.9 për qind e njerëzve konfirmojnë këtë që po them: Kemi marrë ndihmat, kemi marrë qiratë dhe po marrim, tani pak nga pak shtëpitë e reja. Kush është hallexhi dhe e di vlerën e një shtëpie dhe sakrificën për të pasur një ngrehinë ku jeton është mirëkuptues. Ai që i ka nja 4-5 vila sa në Lundër, sa në Lalëz, ai s’e kupton fare. Mezi pres që të na gjejë viti i ri në shtëpinë e re”, deklaroi Veliaj.

Top Channel