Burri nxjerr armën e nis retorikën kur i kërkojnë të vërë maskë: Bill Gates kërkon të na vendosë mikroçipe të gjithëve

07/11/2020 16:11

Këto janë momentet e tmerrshme kur një njeri i armatosur nxorri pistoletën në një dyqan ushqimi të shpejtë në Britani, pasi iu kërkua të mbajë maskë.

Pamjet tregonin sesi një argument i ndezur nisi më tej pasi njeriu i armatosur i drejton pistoletën në gjoks shoferit të shpërndarjes së dyqanit, i cili i kishte kërkuar të zbatonte rregullat e sigurisë shëndetësore.

Policia e armatosur erdhi shpejt në dyqanin Rhondda Takeaway në qytezën Pentre në Uells, dhe arrestuan një 57-vjeçar që zotëronte një imitim arme zjarri, me qëllim të shkaktonte frikë dhune.

Pronarja e dyqanit Norma Hemming, 62 vjeçe, tha: “Ai nisi të debatonte me shoferin e shpërndarjes dhe më pas nxorri armën. Më pas erdhi dhe burri im dhe ai i drejtoi armën, por kërkonte të arrinte te shoferi me të cilin kishte debatuar më herët. Ai i kishte kërkuar të mbante maskë në dyqan”.

“Burri me armë nisi më pas të fliste duke përmendur Jezusin e duke thënë se Bill Gates kërkon të na vendosë të gjithëve mikroçipe, e gjëra të tjera si këto”.

Shoferi kishte arritur të shkëputej dhe kishte dalë jashtë për të thirrur policinë.

“Nuk kishim parë kurrë diçka si kjo. Ne të gjithë që punojmë këtu jemi një familje. Ishim nervozë por nuk mund ta linim të fitonte, ne me këtë ushqehemi. Por nëse po t’i kërkosh njerëzve të vendosin maskën përfundon kështu më mirë nuk e bëj fare, kushedi çfarë mund të ndodhë”, tha e zonja e lokalit.

FOTO GALERI
1/3
Një njeri i armatosur nxorri pistoletën në një dyqan ushqimi të shpejtë në Britani, pasi iu kërkua të mbajë maskë.

Top Channel