Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbeten të pavendosura të enjten, me kandidatin demokrat Joe Biden që i është afruar shumicës së Kolegjit Zgjedhor dhe Presidentit Donald Trump që kërkon ndërprerjen e numërimit të votave, ndërsa republikanët po ngrejnë padi gjyqësore për parregullsi në numërimin e votave.

Zoti Biden kryeson 253 me 214, në garën për 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, që i duhen fituesit. Por numërimi i votave është ende duke vazhduar në katër shtete që do të përcaktojnë fituesin: Xhorxhia dhe Pensilvania në pjesën lindore të vendit dhe shtetet perëndimore fqinje të Arizonës dhe Nevadës. Të enjten pasdite, zoti Biden bëri një paraqitje të shkurtër në Uilmington të Delauerit, ku tha se “çdo votë duhet të numërohet”.

“Kjo është mënyra se si njerëzit e këtij vendi shprehin vullnetin e tyre”, tha ai. “Dhe është vetëm vullneti i votuesve që zgjedh Presidentin e Shteteve të Bashkuara.” Ai shtoi se “demokracia ndonjëherë është e ngatërruar, kështu që nganjëherë ajo kërkon pak durim.” Ai tha se ai dhe kandidatja e tij për nënpresidente, senatorja Kamala Harris, vazhdojnë “të ndihen shumë mirë (mbi atë) se ku qëndrojnë gjërat”.

“Dhe ne nuk kemi dyshim se kur të përfundojë numërimi, senatorja Harris dhe unë do të jemi fituesit (e zgjedhjeve),” tha ai. Presidenti Trump është në epërsi në Xhorxhia dhe Pensilvani, ndërsa zoti Biden po kryeson në shtetet e tjera të mbetura, por avantazhet e tyre nuk janë përcaktuese. Në sistemin amerikan të Kolegjit Zgjedhor, fituesi i votës popullore në secilin shtet, me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska, merr të gjitha votat elektorale të atij shteti, numri i të cilave përcaktohet në bazë të popullsisë së shtetit.

Nëse zoti Biden do të ruajë kryesimin e tij në Arizona, shtet me 11 vota elektorale, dhe në Nevada, me 6 vota elektorale, ai do të arrijë 270 vota, shumicën e Kolegjit Elektoral dhe do të bëhet kështu presidenti i 46-të i vendit gjatë inaugurimit të tij në janar, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në shtetet Xhorxhia dhe Pensilvani. Presidentit Trump i duhet të ruajë avantazhin në të gjitha shtetet ku po kryeson dhe gjithashtu të fitojë Nevadan ose Arizonën, ku aktualisht kryeson zoti Biden.

Numërimi i votave është shumë i afërt në të katër shtetet. Në Xhorxhia, me 16 vota elektorale, Presidenti Trump mban një avantazh me 3 mijë vota, ndërsa pritet që të numërohen edhe mijëra vota të tjera. Në Pensilvani, Presidenti Trump kryeson me rreth 64 mijë vota, por sasi edhe më e madhe votash pritet të numërohet. Ky shtet ka 20 vota elektorale. Zoti Biden udhëheq tashmë me 12 mijë vota në Nevada, shtet me 6 vota elektorale, si dhe me 68 mijë vota në Arizona, e cila ka 11 vota elektorale. Shumë vota mbeten ende për t’u numëruar në të dyja këto shtete. Presidenti Trump ka ende mundësi për fitore nëse mund të rimarrë shtetet ku zoti Biden po udhëheq, si dhe të fitojë Xhorxhian dhe Pensilvaninë.

Presidenti udhëheq edhe në dy shtete të tjera, për të cilat nuk është shpallur ende rezultati, në Alaska dhe në Karolinën e Veriut. Zoti Biden kryeson votën popullore, 72.6 milionë vota përkundër 68.8 milionë, por është Kolegji Zgjedhor që do të përcaktojë fituesin pas një fushate të nxehtë disa mujore. Në Twitter, Presidenti Trump kërkoi që të ndalej numërimi i votave, por nëse numërimi do të ndalej në gjendjen aktuale të orëve të vona të së enjtes, Presidenti Trump do të humbiste, duke u bërë kështu presidenti i tretë amerikan që humb rizgjedhjen pas vetëm një mandati./VOA

Top Channel