Notari turk thyen rekordin evropian në stilin bretkosë në 50 metra

06/11/2020 08:33
Notari turk, Emre Sakçı

Notari turk,  Emre Sakçı sot hyri në histori duke thyer rekordin e tij personal dhe atë evropian në stilin bretkosë në distancë 50 metra për meshkuj.

“Notari turk Emre Sakçı fitoi në 50 metra bretkosë, duke vendosur një rekord të ri evropian prej 25,29 sekondash, që ishte vetëm 0,04 sekonda larg thyerjes së rekordit botëror (25,25)”, shkroi Lidhja Ndërkombëtare e Notit (ISL) në Instagram, e cila mbulon garën në Budapest të Hungarisë.

Sakçı, 22 vjeç, muajin e kaluar theu rekordin në të njëjtën garë, ISL, me një kohë 25,50.

Atleti në pension i Afrikës së Jugut Cameron van der Burgh mban ende rekordin botëror në 50 metra në këtë stil të notit me 25,25 sekonda, të vendosur në garën e Berlinit të Kupës Botërore të Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA) në vitin 2009.

Mehmet Muharrem Kasapoğlu, ministri i Rinisë dhe Sportit i Turqisë, e përgëzoi notarin turk për vendosjen e rekordit të ri dhe i uroi atij sukses në të ardhmen.

Në fitoren e tij, Sakçı përkujtoi gjithashtu viktimat e tërmetit të javës së kaluar në Izmir. Para garës së sotme në Hungari, Sakçı shkroi emrin “Izmir” në gjoksin e tij për nder të viktimave të tërmetit.

Pasi fitoi garën, Sakçı bëri një gjest me duar në formë zemre mbi fjalën Izmir në gjoksin e tij për të treguar solidaritet dhe mbështetje.

Tërmeti vdekjeprurës i javës së kaluar në Izmir me magnitudë 6,6 ballë shkatërroi disa ndërtesa dhe shkaktoi vdekjen e 114 personave, ndërsa mbi 1.000 u lënduan./ AA.

Top Channel