Zhvillohet kampionati i basketbollit për të rinj në Tiranë, kupën “Feti Fanaj” e fiton ekipi Superior Basket, Veliaj: Fetiu i dha kaq shumë Bashkisë së Tiranës

05/11/2020 13:56

Kupa e kampionatit të basketbollit për të rinjtë e shkollave të Tiranës do të mbajë emrin “Feti Fanaj”, drejtorit të Bashkisë së Tiranës, i cili u nda nga jeta pak javë më parë, pasi humbi betejën me Covid-19. Gjatë shërbimit të tij në bashki, Fanaj transformoi objektet arsimore dhe mjediset sportive të shkollave të kryeqytetit.

Në përfundim të kampionatit, i zhvilluar në kushte jo të zakonshme për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, dhe që vuri përballë në finale ekipet e Superior Basket dhe ProBasket Invaders, ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u dorëzoi kupën fituesve të Superior Basket.

“Kjo kupë mban emrin ‘Feti Fanaj’, një njeri që kam pasur fatin ta njoh, i cili sot nuk jeton më. Ai ishte drejtori ynë, që u mor me të gjitha palestrat dhe drejtoi këtë projekt, që i ka dhënë Bashkisë së Tiranës një infrastrukturë të jashtëzakonshme, që s’e kishim përpara pak vitesh”, tha kryebashkiaku.

Ai shtoi se, çdo vit, kampionati i basketbollit do të përkujtojë një emër, i cili i dha kaq shumë Tiranës, veçanërisht jetës sportive të grupmoshave të reja në kryeqytet.

“Fakti që sot kemi një kampionat me 20 skuadra kompetitive dhe mbi 60 shoqata të përfshira në këtë projekt, i dedikohet një njeriu. Ai jo vetëm punoi deri ditën e fundit për këtë projekt, por u kujdes edhe për mbarëvajtjen në çerdhe e kopshte, e sidomos në shkollat e Tiranës. Të gjitha këto janë paja që ia lëmë brezit tjetër”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës organizoi më datat 19 Tetor- 4 Nëntor Kampionatin e Shoqatave të Basketbollit dhe shoqatave që kanë në përdorim palestrat e shkollave. Në këtë kampionat, morën pjesë 20 shoqata Basketbolli të përbëra nga ekipe djem e vajzash me nga 12 lojtarë. Grupmoshat që morën pjesë në këtë kampionat ishin 11-15 vjeç.

Top Channel