Tim Judah analist për çështjet e Ballkanit në revistën britanike The Economist, e komenton për Top Channel,  përballjen e Hashim Thacit dhe Kadri Veselit me Gjykatën e Hagës,  si fillimin e  një fundi të së gjithës kësaj historie nga ku të akuzuarit ose do të pastrojnë figurën e tyre siç kanë thënë se nuk janë fajtorë, apo ata do të paguajnë për krime që mund ti kenë kryer.

Analisti britanik tregon se kush mund të përfitojë politikisht nga kjo situatë.  Tim Judah  u intervistua nga gazetari Muhamed Veliu.

Muhamed Veliu: Tim Judah sa i dëmshëm është për Kosovën ky zhvillim kur figura kyçe politike si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli duhet të përballen me akuza për krime lufte?

Tim Judah: Është e dëmshme pasi do të shkatërrojë rrjedhën normale politike në një kohë të vështirë siç është kjo me pandemi. Nga ana tjetër kjo ishte e pritshme prej shumë kohësh që kur Carla Del Ponte në Tribunalin për ish Jugosllavinë ishte e para që foli për këtë pra për Thaçin që në vitin 2000. Më pas patëm në 2011 raportin e Dick Martit e më pas pamë akuzat për Thaçin në Qershor të këtij viti. E gjitha kjo duhet të ketë një fund. Shpresoj të jetë fillimi i një fundi të së gjithës kësaj historie dhe të akuzuarit ose do të pastrojnë figurën e tyre siç kanë thënë se nuk janë fajtorë apo ata do të paguajnë për krime që ata mund ti kenë kryer. E gjithë kjo hije që ka qëndruar mbi Kosovën për një kohë të gjatë përfundimisht duhet të ngrihet.

Muhamed Veliu: Ky zhvillim çfarë komplikimesh sjell për spektrin politikën në Kosovë ?

Tim Judah: Presidentja në detyrë Vjosa Osmani ka 6 muaj kohë të gjej dakordësi me partitë politike dhe parlamentin në zgjedhjen e një presidenti të ri. Mbase të gjitha partitë në parlament nuk duan zgjedhje. Mbase vetëm Vetëvendosja kërkon të mbahen zgjedhje. Do të jetë e vështirë për ta të dakordësohen për presidentin e ri. Zgjedhjet do të vinë herët apo vonë dhe përfituesi më i madh mendoj se do të jetë Vetëvendosja. E gjitha është ironike kur mendon se Albin Kurti ishte kundra themelimit të Gjykatës Speciale dhe Thaçi në favor të krijimit. Tani Albin Kurti mund të kthehet në përfituesin më të madh të asaj që ndodhi paraditen e të Enjtes pavarësisht se Rexhep Selimi gjithashtu nga Vetëvendosja, ka vajtur në Hagë për t’u përgjigjur pyetjeve.

Muhamed Veliu: Të gjithë udhëheqësit e Kosovës që po përballen me gjykatën e Hagës thonë se “po paguajnë çmimin e lirisë së Kosovës” por sipas jush e gjitha kjo a pikëpyetje dhe dyshim në luftën çlirimtare të UCK-s?

Tim Judah: Jo unë nuk e mendoj këtë. Kjo vendos pikëpyetje se çfarë individët kanë bërë dhe për çfarë këta individë ishin përgjegjës. Ky ka qenë mesazhi tribunalit ndërkombëtar të luftës që në fillim. Pra bërja me faj e individëve jo në nivel kombëtar apo për idetë. Thjesht është një çështje individësh nëse ata kanë apo nuk kanë bërë gabime.

Muhamed Veliu: Në Twitter ju shkruani se Joe Biden e ka quajtur  Thaçin si George Washingtonin e Kosovës dhe se do të jetë interesante ajo që do të pasojë. Çfarë prisni nga e gjitha kjo?

Tim Judah: Unë i rikujtova njerëzve atë që Joe Biden kishte thënë dhe në fakt e kisha harruar atë postim timin në Twitter. Në të njëjtën kohë Albin Kurti i apeloi shqiptaro-amerikanëve  të votonin për Joe Biden. Nuk e di çdo të ndodhë në javët apo muajt në vazhdim. Por nuk do të më surprizonte mua nëse ne 6 muaj kohë më pas Joe Biden të jetë president dhe Albin Kurti udhëheqës i Kosovës. Nëse do të kisha vendosur një bast prej 100 euro për këtë do ta bëja. Do të vija bast edhe më madh se do të shikojmë një udhëheqje të re në të dyja vendet dhe marrëdhëniet e mira do të vijojnë.

Muhamed Veliu: Me Thacin dhe Veselin në përballje me gjykatën e Hagës si e shihni vijimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit?

Tim Judah: Është e vështirë të thuhet por në të ardhmen e afërt pyetja e madhe është nëse dialogu do të lihet mënjanë deri sa një lidership i ri të zgjidhet. Nga ana tjetër ajo që diskutohet është shumë teknike dhe do të vazhdojë pasi për momentin qeveria e Kosovës nuk ndryshon. Natyrisht ata mund të kenë prioritete të tjera por do të ketë ulje-ngritje dhe prandaj e them që dialogu do të lihet mënjanë për momentin. Kemi parë zotin Lajcak të jetë këmbëngulës në gjetjen e një marrëveshje të shpejtë. Kjo duket e vonuar. Le të shikojmë. Unë nuk e kam një sferë të kristaltë.

Muhamed Veliu: Tim Judah faleminderit shumë për komentet tuaja në Top Channel.

Tim Judah: Faleminderit.

Top Channel