Pjesëmarrja rekord në votime/ Më e larta në 120 vite, votuan më shumë se 160 milionë amerikanë

05/11/2020 00:13

Më shumë se 160 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, pjesëmarrja më e lartë kjo në 120 vjet sipas të dhënave paraprake të US Elections Project.

Që prej viteve 1900, nuk ishte parë të arrihet më në nivel i pjesëmarrjes në votime që shkon në 66.9% si këtë vit. Atë vit, presidenti republikan William McKinley mposhti sfidantin e vet demokrat William Jennings Bryan, e atëherë shifra e pjesëmarrjes kapi rekordin 73.7%.

Ndryshe nga zgjedhjet e këtij viti, ato të 1900-tës, prodhuan një rezultat të pastër. Në fakt, që njerëzit do të votonin kaq shumë këtë radhë kjo ishte parashikuar. Pjesërisht, një fenomen i tillë i detyrohet edhe shtimit të ndjeshëm të votave me postë mes frikës së infektimit nga koronavirusi. Më shumë së 100 milionë vetë votuan më herët, edhe ky një rekord më vete.

Por këto me sa duket paskan qenë zgjedhje rekordesh, pasi edhe Joe Biden theu një të tillë. Ish-zëvendëspresidenti amerikan ka fituar më shumë vota të hedhura ndonjëherë në një zgjedhje presidenciale amerikane. Ai ka marrë mbi 70 milionë vota krahasuar me Barak Obamën që mblodhi në 2008 thuajse 69 milionë e 500 mijë vota.

Top Channel