OSBE rrezon Trumpin: S’ka prova për manipulime zgjedhore

05/11/2020 18:00

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë ka dalë në përfundimin se nuk ka prova për parregullsi zgjedhore dhe se votimet e së martës në Shtetet e Bashkuara ishin “konkurruese e të mirë menaxhuara”, pavarësisht sfidave logjistike që erdhën si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Për OSBE-në, deklaratat e presidentit Donald Trump për mangësi brenda sistemit elektoral zgjedhor të vendit janë të pabazuara dhe gërryejnë besimin tek demokracia. Këtë e pohoi në një deklaratë të tij kreu i misionit afatshkurter vëzhgues të OSBE-së, Michael Georg Link, sipas të cilit Trump nuk ofroi prova për pretendimet e tij.

“Askush, politikan apo zyrtar i zgjedhur qoftë, nuk duhet të kufizojë të drejtën e popullit për të votuar”, u shpreh Link. Trumpi ka ndërmarrë hapin e parë që mund të çojë në një betejë të zgjatur ligjore. Në tre shtete kyçe të betejës elektorale për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve, në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani, zyrtarët e fushatës elektorale të tij paraqiten padi gjyqësore për menaxhimin e votave me postë, ndërsa në Wiskonsin është kërkuar rinumërim.

Qëllimi është të pezullohet numërimi i votave të shumta të dërguara nëpërmjet postës, për të cilat Presidenti ka se janë të manipuluara dhe se po shtojnë shanset e sfiduesit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet. Demokrati Joe Biden shpalli fitoren në Miçigan e Wiskonsin, por ende nuk ka dalë rezultati në Xhorxhia dhe Pensilvani.

“Kërkojmë të shohim votat që u hapën dhe u numëruan ndërkohë që ne nuk patëm qasje të mjaftueshme”, tha menaxheri i fushatës Trump, Bill Stepien.

Vetë Trump foli së fundi në Twitter për një betejë të madhe ligjore në Pensilvani, ku rezulton të jetë vërtet në avantazh. Kërcënimi se do ti drejtohet Gjykatës së Lartë tregon se Trump po përgatitet për një betejë ligjore në këto zgjedhje që janë ndër më të ankimuarat në historinë amerikane. Sipas BBC-së, Biden ka siguruar deri tani 243 nga 270 votat e nevojshme elektorale për presidencën amerikane, ndërsa Trump, 214.

Top Channel