Mbështetje Thaçit dhe UCK/ Meta, Rama dhe Basha reagojnë pas dorëheqjes dhe dërgimit në Hagë të presidentit të Kosovës

05/11/2020 15:11

Të gjithë udhëheqësit politik të Shqipërisë, ofruan mbështetje për presidentin e dorëhequr , Hashim Thaçi në këtë moment të vështirë për të dhe të gjithë Kosovën.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë presidenti Ilir Meta,  ka qenë e drejtë dhe heroike.

“Vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën. Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama nuk nguroi që edhe njëherë tjetër të përsërisë qasjen e tij për këtë process.

 “Hashim Thaçi ka gjjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, shkruan Rama.

Kreu PD Lulzim Basha thotë se anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.

“Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës’, tha Basha.

Top Channel