BE kërkon vazhdimësi në Kosovë pas dorëheqjes së Thaçit

05/11/2020 21:59

Pas dorëheqjes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si pasojë e aktakuzës për krime lufte, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i komisionit të jashtëm, Peter Stano, nëpërmjet një mesazhi në Twitter tha, se e mirëpret faktin që presidenti i Kosovës ka vendosur të bashkëpunojë me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“BE mbështet fuqimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Bashkëpunimi i plotë me këto institucione është thelbësor si një demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundimin e ligjit, i cili nga ana tjetër është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe për angazhimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në tërësi.”

Pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, ne kemi besim te përfaqësuesit e Kosovës për të siguruar vazhdimësinë e institucioneve, në përputhje me ligjet e Kosovës, përfundon Stano.

Debati për presidentin

Pas paralajmërimit të dorëheqjes së Presidentit Thaçi shtrohet pyetja se si do të vazhdojë më tej me koalicionin e deritanishëm, pasi AAK ka kërkuar që kryetari i kësaj partie të bëhet president. Ky post për momentin mbahet nga Vjosa Osmani, kryetarja e parlamentit.

DW mësoi nga qarqe qeveritare në Berlin se Gjermania, e cila është edhe kryetare re radhës së BE-së, favorizon një zgjidhje që nuk provokon zgjedhje të reja në Kosovë, çka do ta shtynte edhe më tej vendimmarrjen për çështje të rëndësishme, siç është sidomos ajo e dialogut.

Top Channel