Arrestohet gruaja që mori nënën 97-vjecare nga shtëpia e kujdesit

05/11/2020 17:36

Një infermiere e dalë në pension është arrestuar sot nga autoritetet pasi mori nënën e saj 97-vjeçare nga shtëpia e kujdesit, para nisjes së karantinës në Britani.

73 vjeçarja Ylenia Angeli, tha se ndërmori “veprimin drastik” prej mungesës së kontakteve me nënën e saj gjatë izolimit.

Ajo tha se donte të kujdesej vetë për nënën e cila vuan nga demenca. Pas ndalimit nga autoritetet zonja Angeli u la e lirë ndërsa nëna e saj u rikthye në shtëpinë e kujdesit.

Policia e krahinës Humberside u thirr në vendngjarje për ndihmë ndaj një “sulmi”, por shtëpia e kujdesit nuk komentoi kur u pyet nga mediat.

Në një deklaratë të zëdhënësit të qeverisë thuhej se “e kuptojmë sa e vështirë është situata aktuale” dhe shtonin se do të publikohen udhëzime të reja për vizitat në vendet e kujdesit “për të siguruar një mjedis të sigurtë ndaj Covid-19”.

Incidenti kishte ndodhur kur Angeli vizitoi nënën e saj me të bijën, e cila kishte filmuar episodin e arrestit.

E bija e Angeli ankohej se nëna e saj ishte shtyrë drejt “pikës së shkatërrimit” pasi nuk kishte mundur të takohej me gjyshen prej nëntë muajsh.

“Kur arritëm aty gjërat u përshkallëzuan. Ne nuk kishim planifikuar gjë, ishte vetëm një moment emocionesh të forta”.

Gratë thanë se u ishin lejuar vetëm disa vizita ne dritare dhe lidhje me Skype të cilat e kishin stresuar së tepërmi gjyshen.

“Por shtëpia e kujdesit tani po ndalon dhe vizitat në dritare prej izolimit dhe ne ishim të dëshpëruara ta shihnim”.

Ajo tha se familjes u ishte dhënë e drejta e menaxhimit të financave të gjyshes po jo të kujdesit shëndetësor.

FOTO GALERI
1/4
73 vjeçarja Ylenia Angeli mori me force nënën e saj 97-vjeçare nga shtëpia e kujdesit

Top Channel