Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë tha se po kryen bastisje në Prishtinë, por pa dhënë hollësi të tjera.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, thuhet në një njoftim të prokurorisë së Posaçme.

Në orët e mëngjesit bastisje është kryer në shtëpinë e Jakup Krasniqit, ish zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ishte marrë në pyetje në Hagë në korrik të vitit 2019.

Dhomat e Specializuara, emri me të cilin njihet Gjykata e Posaçme për Kosovën, trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Më 24 shtator është kryer arrestimi i parë. Salih Mustafa, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nën akuzat për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Zoti Mustafa i mohoi këto akuza në një paraqitje para gjykatës më 28 tetor.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Top Channel