Infektimi me SARS-CoV-2 i dy gjyqtarëve dhe një punonjësi në administratën e Gjykatës së Durrësit ka çuar në pezullimin e veprimtarisë së kësaj gjykate, këtë të mërkurë, që do të zgjasë deri më datën 16.11.2020.
Gjykata njofton se përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, si dhe seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, dhe të gjithë masat me karakter të ngutshëm.
Në njoftim thuhet më tutje që nga ana e gjykatës duhet të shmanget prania e publikut në zhvillimin e seancave gjyqësore. Orari i shërbimit për paraqitjen e kërkesave me karakter të ngutshëm nga publiku do të jetë nga ora 10:00-11:00 të çdo dite.
Pavarësisht se seancat gjatë pandemisë janë zhvilluar me numër të kufizuar personash, duke lejuar në seanca vetëm palët ndërgjegjësuese, virusi ka arritur të depërtojë dhe të prekë gjyqtarët. Mes dy gjyqtarëve të infektuar është dhe kryetari i kësaj gjykate, ndërkohë të tjerë qëndrojnë në pritje të rezultatit të tamponit.
Kujtojmë se, ditën e sotme u mbyll edhe Gjykata e Krujës pas infektimit të kancelarit të Gjykatës së Krujës dhe shfaqja e simptomave të dyshimta te punonjës të tjerë të administratës.
NJOFTIM I GJYKATËS:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës ka rezultuar se disa prej gjyqtarëve dhe punonjësve të administratës gjyqësore kanë shfaqur simptoma të infektimit nga COVID – 19 dhe po trajtohen nga ana mjekësore për këtë infeksion. Gjendur në këtë situatë të jashtëzakonshme pandemie, në funksion tё reduktimit të transmetimit të virusit midis punonjësve apo dhe përdoruesve të gjykatës dhe sigurimit të zbatimit me rigorozitet të protokolleve të përcaktuara për situatën COVID – 19, Këshilli i Gjykatës u mblodh për marrjen e masave me qëllim për t’i siguruar punonjësve sigurinë për shëndetin e tyre.
Sa më sipër, bazuar në nenin 38 të ligjit nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Aktin Normativ nr.9, datë 25.03.2020 të Këshillit të Ministrave, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, Udhёzimin e Kёshillit tё Lartё Gjyqёsor Nr. 146 datё 27.04.2020 “Pёr pёrcaktimin e masave pёr kufizimin e pёrhapjes sё COVID-19 gjatё ushtrimit tё veprimtarisё gjyqёsore dhe administrative nё gjykata” , Këshilli i Gjykatës
Vendosi:
1. Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
2. Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme.
3. Përjashtohen nga efektet të këtij pezullimi, seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, dhe të gjithë masat me karakter të ngutshëm.
4. Në çdo rast nga ana e gjykatës duhet të shmanget prania e publikut në zhvillimin e seancave gjyqësore.
5. Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, do të jetë nga data 05.11.2020-16.11.2020.
6. Orari i shërbimit për paraqitjen e kërkesave me karakter të ngutshëm nga publiku do të jetë nga ora 10:00-11:00 të çdo dite.
Faleminderit!
Top Channel