Greqia regjistron për herë të dytë brenda pak ditësh mbi 2000 raste në ditë me Covid-19 dhe shqetësimi i organeve shëndetësore ka arritur kulmin.

Prej 2166 rasteve të 24 orëve të fundit përsëri vendin e parë me 595 të prekur e mban Selaniku qyteti që ndodhet prej mëngjesit të së martës bashkë me Serresin në lockdown të plotë për 14 ditë.

Mediat kanë transmetuar gjatë gjithë ditës pamjet me dyqanet e mbyllura, kontrolle të rrepta të policisë dhe pak njerëz që kanë dalë rrugëve vetëm me anë të sms për nevojat e ngutshme.

Shqetësimi i qytetarëve ka të bëjë jo vetëm me gjendjen e sistemit shëndetësor dhe me mundësinë e përballimit të valës së dytë të pandemisë, por edhe me goditjen ekonomike që sjell ajo për bizneset e vogla dhe ato të mesme, të cilat janë tepër jetësore për qytetin e dytë më të madh të vendit.
Por rastet janë rritur edhe në Athinë duke shkuar në 542, në Rodhopi e Larisë ku kanë shkuar përkatësisht në 108 dhe 106, ndërsa shënohet rritje dhe në 23 periferi të vendit.

Në qytetin e Janinës ka filluar një hetim pasi janë gjetur mbi 55 të moshuar positive me koronavirus në një azil pleqsh. Tashmë Greqia numëron prej fillimi të pandemisë 44246 të prekur, 655 humbje jete, 13 prej të cilëve në 24 orët e fundit dhe një rritje alarmante prej 29 personash vetëm në 24 orët e fundit të pacientëve që trajtohen në dhomat e terapisë intensive, numri i të cilëve ka shkuar në 169.

Në të gjithë Greqinë autoritetet kanë shpallur ndalim qarkullimi prej orës 12.30 pas mesnate deri në 5 të mëngjesit, ndërsa është e detyrueshme kudo mbajtja e maskave.

Top Channel