Zgjedhësit në Dixville Notch, një fshat me 12 banorë, në shtetin amerikan të Nju Hempshajërit e nisën ditën e zgjedhjeve sapo u dëgjuan kambanat e mesnatës, duke votuar unanimisht për të nominuarin demokrat, Joe Biden.

Vota dhe numërimi, së bashku morën vetëm pak minuta, me pesë vota për Biden dhe asnjë për presidentin Donald Trump që po kërkon një mandat të dytë.

Qyteza e vogël në verilindje të SHBA-së, në mesin e pyllit, afër kufirit kanadez ka votuar tradicionalisht e para në vend që nga 1960. Fshati fqinj, Millsfield, po ashtu nisi votimin pas mesnate por një fshat i tretë në zonë, që zakonisht ndjek të njëjtën traditë, e anuloi votimin gjatë natës për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ligji elektoral në New Hampshire, lejon bashkitë me më pak se 100 banorë të hapin qendrat e votimit në mesnatë dhe ti mbyllin kur të gjithë zgjedhësit kanë kryer detyrimin e tyre civil.

Pjesa më e madhe e qendrave të votimit në bregun lindor u hapën në orën 11 apo 12.00 sipas orës së Grinuiçit, të martën. Por në përpjekje për t’u mbrojtur nga koronavirusi, një rekord prej rreth 100 milionë njerëzish i kanë hedhur votat tashmë në atë që njihet si votimi i hershëm. Besohet se shumë nga këto vota të hershme janë të demokratëve, pas insistimit të Biden për të përfituar nga mundësia. Por fushata e Trump-it shpreson për një valë mbështetësish republikanë që do të votojnë personalisht të martën.

 

 

Top Channel