Për të dytën herë brenda pak ditësh! Greqia shënon mbi 2 mijë të infektuar gjatë 24 orëve të fundit

03/11/2020 18:38

Greqia regjistron për herë të dytë brenda pak ditësh mbi 2000 raste në ditë me covid 19 dhe shqetësimi i organeve shëndetësore ka arritur kulmin.

Prej  2166 rasteve të 24 orëve të fundit përsëri vendin e parë me 595 të prekur e mban Selaniku qyteti që ndodhet prej mëngjesit të së martës bashkë me Serresin në lockdown të plotë për 14 ditë.

Mediat kane transmetuar gjatë gjithë ditës pamjet me dyqanet e mbyllura, kontrolle të rrepta të policisë dhe pak njerëz që kanë dalë rrugëve vetëm me anë të sms për nevojat e ngutshme.

Shqetësimi i qytetarëve ka të bëjë jo vetëm me gjendjen  e sistemit shëndetësor dhe me mundësinë e përballimit të  valës së dytë të pandemisë ,por edhe me goditjen ekonomike që sjell ajo për bizneset e vogla dhe ato të mesme, të cilat janë tepër jetësore për qytetin e dytë me të madh të vendit.

“Them se është një gjendje tragjike. Vazhdimisht me maska, tregu nuk lëvizi siç duhej, ka problem të mëdha në përgjithësi.”

Por rastet janë rritur edhe në Athinë duke shkuar në  542 , në Rodhopi e Larisë ku kanë shkuar përkatësisht në 108 dhe 106,ndërsa shënohet rritje  dhe në 23 periferi te vendit .

Në qytetin e Janinës ka filluar një hetim pasi janë gjetur mbi 55 të moshuar pozitive me koronavirus në një azil pleqsh.

Tashmë Greqia numëron prej fillimi të pandemisë  44246 te prekur, 655 humbje jete ,13 prej të cilëve në 24 orët e fundit dhe një rritje alarmante prej 29 personash vetëm në 24 orët e fundit  të pacientëve që trajtohen në dhomat e terapisë intensive ,numri i të cilëve ka shkuar në 169.

Në të gjithë Greqinë autoritetet kanë shpallur ndalim qarkullimi prej orës 12.30 pas mesnate deri në 5 të mëngjesit, ndërsa është e detyrueshme kudo mbajtja e maskave.

Top Channel