Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe një shifër rekorde me viktima nga koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 24 persona e kanë humbur jetën duke e çuar në 1,049 numrin e përgjithshëm të viktimave. Ndërkohë 913 persona tjerë janë infektuar në 24 orët e fundit.
Listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 421 persona të tjerë.
Raporti i Ministrisë i referohet testimit të 2,731 mostrave.
Numri më i madh i të vdekurve dhe të infektuarve është regjistruar në Shkup ndërsa pasojnë qytetet tjera si Tetova, Prilepi, Strumica, Kumanova dhe Manastiri.
Nga 33,908 persona të diagnostikuar me COVID-19, 21,665 persona janë shëruar ndërsa 11,194 persona janë ende aktivë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut përmes sistemit COVAX ka aplikuar për furnizim me 800 mijë vaksina kundër koronavirusit.
“Pritjet tona janë që me këtë vaksinë të furnizohemi në fillim të vitit të ardhshëm. Marrja e vaksinës nuk do të jetë e detyrueshme pasi nuk është e përfshirë në kalendarin e vaksinimit, por do të dalim me rekomandime të forta për marrjen e saj”, ka deklaruar Filipçe.
Ndërkohë për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me koronavirus, Qeveria të martën miratoi masa të reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së tij.
Bizneset e sektorit të gastronomisë do të mund të punojnë deri në orën 21:00 ndërsa pas kësaj ore ndalohet edhe grumbullimi i më shumë se katër personave.
“Qeveria gjithashtu miratoi vendimin me të cilin u rekomandohet të gjithë qytetarëve të huaj, që të mos lëvizin në hapësira publike pas orës 21:00 nëse nuk kanë ndonjë nevojë të domosdoshme”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook kryeministri maqedonas, Zoran Zaev./REL/
Top Channel