Maqedonia e Veriut: Po bashkëpunojmë me autoritetet austriake

03/11/2020 13:48

Ministriа е Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se “është në kontakt të vazhdueshme me autoritetet e Austrisë për verifikimin e indentitetit të sulmuesit, por edhe për lidhjet e tij të mundshme me persona të tjerë”.

“Policia austriake përmes Interpolit ka paraqitur kërkesë për bashkëpunim për këtë rast dhe autoritetet tona menjëherë i janë përgjigjur kërkesës për veprim”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se sulmuesi i vrarë në Vjenë ishte një 20-vjeçar, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ministri Nehammer tha se sulmuesi në të kaluarën ka qenë i dënuar për përfshirje në një organizatë terroriste.

Ai u shpreh se “terroristi i dyshuar” ishte dënuar në prill të vitit 2019, për shkak se kishte tentuar që të udhëtonte për në Siri me qëllim që t’i bashkohej grupit militant Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burgim, por ishte liruar me kusht në dhjetorin e vitit të kaluar. Policia në Austri tha se po kërkojnë për të paktën edhe një të dyshuar, për sulmet e shumëfishta në Vjenë të Austrisë, që lanë të vrarë të paktën katër persona.

Të hënën mbrëma, në kryeqytetin austriak, persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme duke plagosur edhe 17 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Top Channel