Banda e armatosur përdor kanalizimet e nëndheshme për vjedhjen sensacionale të bankës në Milano

03/11/2020 19:49

Grabitësit morën kutitë e depozitave private pasi hynë në degën e bankës Crédit Agricole nga një pusetë.

Një grup grabitësish të armatosur kanë arritur të hyjnë në një bankë në Milano duke u zvarritur në rrjetin e nëndheshëm të kanalizimeve, teksa morën kutitë e depozitave dhe u larguan në të njëjtën mënyrë.

Grabitja nisi rreth orës 8.30 mëngjesin e sotëm kur dy nga grabitësit hynë nga dera kryesore në degën Crédit Agricole në Piazza Ascoli, dhe kërcënuan stafin me armë, raportonin mediat italiane. Dy bashkëpunëtorët e tyre dolën nga një pusetë brenda bankës, e cila ishte e lidhur me tunelet nëntokësore.

Grabitësit u përleshën me drejtorin e bankës i cili thërriste “Është një grabitje!” Por vjedhësit e ndaluan atë dhe një tjetër anëtar të stafit, teksa dhjetra oficerë policie kishin rrethuar bankën. Një nga punonjësit e bankes arriti të largohej nga incidenti.

Policia kishte rrethuar zonën para se të mesynin në bankë por grabitësit aktivizuan sistemin mbrojtjes kundër zjarrit dhe konfuzioni që u krijua i dha atyre kohë për t’u arratisur, duke përdorur përsëri pusetën. Disa policë raportohej se i kishin ndjekur ata brenda pusetës në kanalizime por grabitësit humbën gjurmët.

Ata morën me vete 20 kuti depozitash private, por nuk është e qartë se çfarë ato përmbanin.

Drejtori i bankës është goditur në kokë me dorëzen e një arme por nuk ishin lënduar njerëz të tjerë. Duke folur me gazetarët pas ngjarjes: “Ata hynë nga bodrumi. Tre nga ne ishim brenda kur e kuptuam atë që po ndodhte dhe ulëritëm. Patëm një perleshje të shkurtër por nuk më rrahën”.

Prokurorët në Milano kanë nisur hetimet për grabitjen.

Top Channel