Rritet numri i viktimave në Nagorno-Karabak pavarësisht armëpushimit

02/11/2020 18:53

Autoritetet ushtarake në rajonin e Nagorno Karabakut ka thënë se 11 ushtarë shtesë kanë vdekur në luftimet me forcat e Azerbajxhanit, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas një liste të publikuar nga shërbimi për media i ushtrisë, në mesin e personave të vdekur është edhe zëvendës-komandanti i Ushtrisë së Mbrojtjes së Nagorno-Karabakut, Artur Sarkisian.

Numri i viktimave në këtë rajon ka shkuar në 1,177 prej kur kanë shpërthyer përleshjet më 27 shtator, ka thënë ushtria.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka thënë ndërkohë në Twitter se forcat e shtetit të tij kanë marrë kontrollin e tetë fshatrave shtesë në operacionet në Nagorno-Karabak.

Ndaras, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit ka thënë më 2 nëntor se disa vendbanime civile në rajonin Tartar, brenda Azerbajxhanit janë qëlluar nga trupat e Armenisë.

Nagorno-Karabaku njihet si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, refuzojnë rregullin azer.

Ata kanë drejtuar vetë çështjet e tyre, me mbështetjen e Armenisë, prej kur trupat e Azerbajxhanit janë larguar nga rajoni, në luftën që ka përfunduar përmes një armëpushimi më 1994.

Aliyev ka thënë më 2 nëntor se Azerbajxhani është gati t’iu japë fund armiqësive nëse Armenia zotohet se do të largojë forcat e saj nga Nagorno-Karabaku, një ditë pasi ka thënë se trupat azere do të “shkojnë deri në fund” nëse negociatat nuk e arrijnë synimin.

Kryeministri armen, Nikol Pasahnian, ka kërkuar nisje të hetimeve për përfshirjen e dyshuar të mercenarëve nga Siria dhe Libia në anën e Azerbajxhanit në këtë konflikt.

Si Azerbajxhani, ashtu edhe shteti aleat, Turqia ka mohuar përfshirjen e mercenarëve në këto armiqësi. Luftimet e fundit në mes të të dyja palëve kanë nisur më 27 shtator, konflikt që është përshkallëzuar me raketa, dronë dhe artileri të rëndë.

Rusia ka vlerësuar se rreth 5,000 persona kanë vdekur në të dyja anët. Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia, kanë dështuar që të gjejnë zgjidhje për një armëpushim afatgjatë për këtë konflikt./Rel/

Top Channel