Një histori me shtetësi nga Ilir Meta te Baton Haxhiu dhe pasaporta e analistit kosovar

02/11/2020 18:48

Në “Top Talk”, para pak kohësh ishte i ftuar gazetari Adriatik Doçi. Ai foli rreth një investigimi, që tregonte se Institucioni i Presidencës, me në krye presidentin Meta, kanë lëshuar mbi 400 nënshtetësi në total, shumica prej tyre sipas Doçit në mënyrë të paligjshme.

Madje, sipas Doçit, ka pasur persona që kanë kryer vrasje në Kosovë, e prapë e kanë përfituar nënshtetësinë shqiptare, duke shtuar këtu se gjatë procesit ka munguar verifikimi i individëve. Presidenti Meta, tha se nënshtetësi pa u verifikuar e ka përfituar edhe analisti i njohur Baton Haxhiu.

Teksa ishte i ftuar në “Top Talk”, në lidhje me situatën politike në vend, Haxhiu u pyet në lidhje me deklaratën e bërë nga Meta. Analisti tha se me të vërtetë i është dhënë një pasaportë pa u verifikuar, por kjo ka ndodhur në vitet 99-të, kur shteti i Kosovës duhej përfaqësuar në Perëndim nga figura publike. Ndërkohë shtoi se ka edhe një nënshtetësi tjetër, të përfituar ai së bashku me familjen. Këtë nënshtetësi të dytë, Haxhiu thotë se e ka merituar, duke qenë se ka dhënë kontribut për shtetin shqiptar.

“E para punës ai dëshiron të mbrojë veten, përmes figurës time. Për të gjithë ata që më njohin, unë kam pasur dy pasaporta shqiptare. Një e kam pasur në vitin 1999, ato 2.000 pasaporta që shteti shqiptar u ka ndarë figurave publike, që atëherë Kosovës i duheshin për ta përfaqësuar jashtë, për të folur në Perëndim, për të shkuar në shtete që e kanë pasur të pamundur ta pranojnë një person pa pasaportë. Ne atëherë nuk kemi pasur pasaportë, nuk i kemi përdorur pasaportat jugosllave dhe serbe dhe ka qenë një farë qëndrimi publik në Kosovë që duhet t’i kemi ato pasaporta. Ato pasaporta i kam marrë nga qeveria Majko, ku zëvendës kryeministër ka qenë Ilir Meta. Më pas, duke qenë se ato pasaporta kanë qenë një lloj dhurate, nuk kanë qenë të lidhura me shtetësi, por kanë qenë për kontributin që Shqipëria i ka dhënë Kosovës, po ka qenë e vërtetë, që nuk kanë kaluar ato 2 mijë pasaporta nga asnjë verifikim. Por kjo është bërë për Kosovën atë kohë. Më vonë për faktin që nuk kemi pasur shtetësi, unë i kam hyrë procedurave, unë dhe familja ime. E kemi merituar sepse kemi kontribuar që të jemi shtetas shqiptar. Unë e kam pasur shtetësinë e Kosovës, por nuk kam pasur pasaportë të Kosovës. Unë jam që presidenti të niste procedurën e një ligji që do furnizonte, të gjithë qytetarët e Kosovës me pasaportë shqiptare edhe duhet që ai të jetë sponsorizuesi kryesorë i kësaj nisme. Por fakti se nuk ka fuqi, ndërtohet një ligj i tillë, qoftë nga qeveria, qoftë nga presidenti, për shkak të mungesës së guximit, për shkak të raporteve me Bashkimin Evropian, të gjitha shtetet e kanë bërë këtë. Serbia e ka bërë për serbët e Bosnjës. Shqipëria nuk i ka bërë për bashkatdhetarët. Në vend që presidenti, të angazhohej për një ligj ku do i pajiste, ai me një deklaratë të mëparshme ka qenë kundër kësaj, kundër mënyrës, të pajisurit me pasaporta të qytetarëve të Kosovës, për arsye se thoshte se rrezikohej liberalizimi i vizave me qytetarët e Shqipërisë. Për faktin që flet kështu, ai nuk ka të drejtë të shkelë procedurën, në listë ka me të vërtetë persona që e meritojnë të jenë qytetarë të Shqipërisë. Ka edhe të atillë që deri vonë nuk kanë dashur ta kenë pasaportën e Shqipërisë. Në atë listë nuk janë pak. Ky kosovocentrizëm, më në fund i ka ngulur fat dhe janë detyruar që ta kenë. Nuk më dhimbset që zoti Ilir Meta ka shkelur procedurën, por brenda listës janë njerëz që nuk e meritojnë ta kenë. Unë kam pasur dëshirën që të gjithë ta kenë pasaportën shqiptare, por nëse do të flasim për procedura, ato duhet të verifikohen. Krimineli është kriminel, ai mund të jetë shqiptar, gjerman, amerikan, por shtetësia është gjë tjetër. Ky verifikim nuk duhet të bëhej për asnjë shqiptar të Kosovës edhe në një gjendje normale, për arsye se kushdo se në çdo vend tjetër shqiptarët e Kosovës e duan pasaportën e Shqipërisë dhe shtetin Shqiptar. Nuk ndodh ky idealizëm dhe dashuri që kanë pasur shqiptarët e Kosovës, të shpërdorohet kaq lehtë”, u shpreh analisti.

 

Top Channel