Mbledhja e shtabit të PS/ Balla: Shqipëria i ka përmbushur kushtet për Konferencën e Parë Qeveritare

02/11/2020 10:11
Deputeti Taulant Balla

Deputeti Taulant Balla, pas mbajtjes së mbledhjes së shtabit elektoral të PS u është përgjigjur disa prej pyetjeve të gazetarëve.

Në lidhje me mendimin e shtetit të Holandës se Shqipëria nuk është gati për të marrë një përgjigje pozitive në lidhje me negociatat me BE-në, Balla tha Shqipëria i ka përmbushur kushtet për Konferencën e Parë Qeveritare dhe se është shumë optimist për këtë pjesë. Sipas tij vendimin e jep vetëm Këshilli i Evropës dhe asnjë vend tjetër.

“Në vëmendjen tonë të përhershme janë problemet e qytetarëve, mbi këtë evidencë merren masa. Ka pasur një raportim të këtyre çështjeve, ka qenë edhe ministrat e kabineti për të ndjekur çdo problematikë, sepse vëmendja jonë është me njerëzit, qasja jonë për të adresuar këto problematikat. ne vijojmë një komunikim të vazhdueshëm në çdo cep të territorit, më lejoni të shpreh mbështetjen për të gjitha bluzat e bardha, kryesisht në qendrat spitalore për të sëmurët me Covid apo të gjithë familjarëve. U bëj thirrje politikanëve të së keqes që të heqin dorë nga ofendimet, nuk ka asnjë opozitë botërore kaq djallëzore. Është një keqardhje më e madhe por ajo që dua të them është përgjigje e thjeshtë dhe e vetme, përpjekja e politikanëve sot janë bashkë të cilët mundohet të përdorin të keqen. Nuk ka ndodhur të kemi takime pa maska. Në asnjë takim nuk ka ndodhur pa maska, me përjashtim të tyre që e kanë kaluar Covidin. Presidenca gjermane ka në objektivat e veta për mbajtjen e konferencës së parë qeveritare.  KE ka vlerësuar se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për mbajtjen e konferencës së parë qeveritare. Mbajtja është momenti zyrtar i fillimit të procesit që ul qeverinë shqiptare me kolegjin e komisionarëve. Në këtë këndvështrim për nga natyra jam optimist, por kësaj radhe jam shumë herë më optimist”, tha Balla.

Në mbledhjen e përjavshme të shtabit elektoral të PS nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama, u diskutua progresi për detyrat e lëna për çdo qark në organizmin e strukturave për zgjedhjet e vitit të ardhshëm që do të mbahen më 25 prill.

Top Channel siguroi foto të Ramës, i cili u pa i veshur me një kostum blu e maskë të zezë me trëndafil vishnje, ngjyra simbol e Rilindjes.

Top Channel