Sot, misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR-i mirëpret kontingjentin e tij të 27-të nga Maqedonia e Veriut.

44 trupa nga kazermat “Kuzman Josifovski – Pitu” në Tetovë, të udhëhequr nga kapiteni Hristijan Dimchevski, do të shërbejnë në Komandën Rajonale të KFOR-it Perëndim me qendër në Pejë dhe do të kontribuojnë në misionin e përgjithshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Detyrat e tyre do të përfshijnë patrullimin, sigurimin e Manastirit të Deçanit dhe ruajtjen e kampit “Villaggio Italia” së bashku me kolegët e tyre italianë dhe moldavë. Elementë të tjerë të kontingjentit do të punojnë si oficerë të shtabit në Shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë.

Flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit sot në një ceremoni të mbajtur në Shtabin e Komandës Rajonale Perëndim.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Michele Risi u tha trupave të sapo vendosura se “përpjekja e tyre do të ndihmojë në rritjen e lidhjeve dhe forcimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe 26 vendeve të tjera që aktualisht shërbejnë me misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR.”

Kontributi i pjesëtarëve të Ushtrisë në misionin e KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të rritet gjatë vitit 2021. Tashmë në rotacionin e gjashtë muajve të ardhshëm, plani është që të rritet numri i trupave të ofruara në mbi 60.

Top Channel