Çështja e abortit shkakton përçarje në shoqërinë polake

02/11/2020 19:12

Në Poloni, aktivistë për të drejtat e grave po bëjnë thirrje për grevë mbarë kombëtare ndërsa mijëra njerëz i janë bashkuar protestës që kundërshton një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili ndalon pothuajse çdo formë të abortit.

Liberalët në Poloni dolën rrugëve të kryeqytetit polak duke protestuar kundër masave të reja që kufizojnë abortin. Ata thonë se vendimi u mor nga një gjykatë jodemokratike.

“Situata është kjo që është, ata kanë votuar ligjin kundër abortit pa na dhënë mundësi për vendimmarrje”, tha Ania një protestuese.

Gjykata Kushtetuese ndaloi abortin në rastet kur fetusi ka anomali, duke përfshirë edhe Sindromën Daun.

Gratë në Poloni mund të abrotojnë në raste të dhunimit ose kur jeta e nënës është në rrezik. Por protestuesit e shohin vendimin si ndalim total.

“Tani aborti është i jashtëligjshëm në Poloni sepse 90 për qind e rasteve do të jenë të jashtëligjshme”, tha Jaroslaw një protestues tjetër.

Vendimi i gjykatës nuk befasoi një pjesë të madhe të vendit katolik. Sondazhet tregojnë se 65 për qind e të anketuarve e shohin abortin si diçka negative.

Këto pikëpamje shërbejnë si bazë për mbështetjen e udhëheqjees konservatore të Polonisë dhe ushqejnë zemërimin e liberalëve ndaj katolicizmit. Pas shpalljes së vendimit aktivistët kanë dëmtuar disa kisha. Kisha katolike, e cila beson se jeta fillon me ngjizjen, është në qendër të debatit politik.

“Ne thjeshtë mbrojmë jetën. Mbishkrime të tilla i gjeni në çdo kishë”, tha Roman Trzcinski, prift katolik.

Për disa aktivistë që kundërshtojnë abortin vendimi solli gëzim.

“Ndryshuan ligjin që ndalon abortin e fëmijëve të sëmurë. Kjo është fitore për ne”, tha Andzelika, aktiviste kundër abortit.

Të dyja palët presin vazhdimin e protestave, ndërsa kjo çështje ka nxjerrë në pah dallimet e forta në shoqërinë polake./VOA/

Top Channel