Bullgaria s’ka ambulanca të mjaftueshme për transportin e të prekurve me COVID-19 në spital, fton policinë për ndihmë

02/11/2020 19:18

Qeveria e Bullgarisë ka vendosur të kërkojë ndihmën e forcave të policisë në transportimin e pacientëve me COVID-19 në spital, pasi nuk ka ambulanca të mjaftueshme në rast të një përhapjeje të papritur të valës së dytë të pandemisë.

Dhjetë minibus policie, gjashtë prej të cilëve janë të shoqëruar nga ndihmës mjekësorë, do të vijnë në ndihmë të 25 ambulancave publike në Sofje, tha ministri i Shëndetësisë Kostadin Angelov në një konferencë shtypi të hënën.

Vdekja e një 33-vjeçari, familja e të cilit priti me orë të tëra për një ambulancë të shtunën, tronditi rrjetet sociale që ishin plot me dëshmi të mos ofrimit të kujdesit urgjent mjekësor.

“Mjekët janë të rraskapitur. Ne jemi në luftë: duhet të mobilizojmë të gjitha burimet në luftën kundër pandemisë,” tha zëdhënësja e Shërbimit Mjekësor të Urgjencës në Sofje Katja Sungarska.

Spitalet bullgare, ku shumë punonjës janë infektuar, tani duhet të përdorin shërbimet e studentëve të mjekësisë.

Përveç kësaj, 17 ambulanca të reja do të jenë në dispozicion deri në fund të javës, shtoi ministri, i cili gjithashtu po negocion me shoqatën e shoferëve të taksive për të transportuar pacientë.

Bullgaria, e cila kapërceu me sukses valën e parë të virusit këtë pranverë, tani po lufton me një rritje të mprehtë 80 për qind të numrit të infeksioneve të reja në shtatë ditët e fundit. Ka një total prej 54.000 rastesh në vend, që ndoshta është edhe më shumë sepse ka pak testime.

Nga frika e trazirave shoqërore, qeveria nuk dëshiron të rivendosë karantinë jopopullore. Që nga shpërthimi i epidemisë në Bullgari me 7 milionë banorë, gati 1.300 njerëz kanë vdekur si rezultat i infeksionit të ri me koronavirus.

Top Channel