Pjesë nga libri
Në vitin 1976 krijova dy lidhjet më të rëndësishme të jetës sime: familjen time dhe punën në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë. Edhe sot, familja dhe atdheu mbeten për mua të shenjta, Në shërbimin e jashtëm, familja dhe atdheu marrin dimensione të veçanta; ato bëhen motivi kryesor që udhëheq punën dhe aktivitetin e një diplomati profesionist. A e keni vënë re? Ngjyra e kuqe e flamurit është më e kuqe kur jemi jashtë vendit dhe himni kombëtar në ceremonitë e dorëzimit të kredencialeve tingëllon shumë më bukur se zakonisht. Në këto dekadat e fundit kanë ndodhur ndryshime të mëdha në botë dhe në vendin tonë; vija e ndarjes midis dy blloqeve politike e ushtarake gjatë luftës së ftohtë të para viteve ’90, u zhvendos nga Adriatiku në Detin e Zi, dhe vendi ynë, për herë të parë në historinë e vet, u gjend gjeografikisht në brendësi të bllokut politik, ushtarak dhe të sistemit shoqëror, në të cilin natyrshëm na takonte që të ishim. Ndryshimet e nevojshme që ndodhën në vendin tonë sollën kalimin e sistemit tonë shoqëror nga ai totalitar në atë demokratik. Por ndërkohë që blloqet dhe situatat gjeostrategjike ndryshojnë, interesat kombëtare (atdheu) dhe ato të familjeve tona si diplomatë mbeten po ato.
Dashnor Dervishi ka lindur në Përmet më 10 shkurt 1949. Shkollën shtatëvjeçare dhe atë të mesme e kreu në Tiranë, në gjimnazin “Qemal Stafa”. Në vitin 1972 mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega “Fizikë Speciale”. Mbas një përvoje pune në sektorin e ndërtimit, në vitin 1974 mori detyrën si kryeredaktor i revistës “Shkenca dhe jeta”, deri në vitin 1976 kur filloi punë në shërbimin e jashtëm. Në vitin 1986 u emërua për herë të parë Ambasador i Shqipërisë në Meksikë dhe gjashtë vende të tjera të Amerikës Latine, jo rezident; duke vazhduar si Ambasador deri në vitin 1992 në Itali dhe Maltë. Detyrën si Ambasador e ushtroi më vonë edhe në disa vende fqinje dhe të rajonit: Izrael, Turqi, Rumani dhe Greqi, si dhe në Qipro, Armeni dhe Tunizi, jo rezident. Si drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme për Rajonin dhe Nismat Rajonale dhe këshilltar për çështjet diplomatike i kryeministrit, ka marrë pjesë në një sërë konferencash dhe forumesh ndërkombëtare. Me dekret të Presidentit të Republikës, datë 29.12 2016, ka marrë titullin personal “Ambasador”. Nga viti 2019 kryen detyrën si Kryetar i Bordit Administrativ në Universitetin “Luarasi” dhe si Lektor në Master Profesional për Sistemin e Sigurisë Kombëtare.
DETAJET E LIBRIT
Shtëpia Botuese: Mediaprint (2020)
Botuar në: 2020
Gjuha e publikimit: Shqip
ISBN-13: 978 9928 08 443 9
Nr. faqe: 302
Top Channel