Vendos penalltia e Aubameyangut, Arsenali “pushton” pas 14 vitesh “Teatrin e Ëndrrave”

01/11/2020 20:43

Arsenali ia del më në fund të fitojë në “Old Trafford”, ku për herë të fundit kishte triumfuar 14 vite më parë, më 17 shtator të vitit 2006. “Topçinjtë” e thyen këtë tabu nën drejtimin e Mikel Artetas, në javën e 7-të të premier League-s, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Pierre-Emerick Aubameyang.

Në “Pallatin e Ëndrrave” u zhvillua një betejë e fortë, me dyluftime të ashpra në çdo sektor të fushës, por rastet e pastra në portat respektive ishin me pikatore.

Momenti i parë për t’u veçuar është ai i minutës së 22-të, kur Greenwood u ndal nga portieri Bernd Leno. Kundërpërgjigjet Arsenali me Willian në minutën e 39-të, por goditja e brazilianit “qethi” traversën, me topin që përfundoi në fundore. I afrohet golit Aubameyang në minutën e 54-t, por topi përfundoi shumë pranë shtyllës. De Gea reagoi në lartësinë e detyrës pas tentativës së Partey-t në minutën e 58-të, për të ardhur më pas tek momenti që përcaktoi fituesin. Pogba shkaktoi penallti në minutën e 68-të, me gjyqtarin Michael Dean të vendosur për të bërë me shenjë nga pika e bardhë. Aubameyang merr përsipër ekzekutimin e penalltisë, duke kaluar në epërsi Arsenalin.

Manchester United shtoi përpjekjet në minutat e mbetura, duke hedhur në fushë Cavanin dhe holandezin van de Beek, por nuk kishte qartësinë e duhur për të shkuar deri te goli. Vlen të veçohet rasti i minutës së 85-të, kur van de Beek u ndal nga shtylla.

Festa në fund ishte e gjitha për “topçinjtë” që thyen një tabu 14-vjeçare, pas dy humbjeve radhazi me Leciester City-n dhe Manchester City-n.

Top Channel