Paul Pogba bën “mea culpa” pas humbjes së Manchester United ndaj Arsenalit. Ishte pikërisht një penallti naive e shkaktuar nga francezi, që rezultoi vendimtare në përcaktimin e fituesit (e shndërroi në gol Aubameyang). Pogba e pranoi se performanca e ekipit nuk ishte e mirë dhe ai mori përgjegjësinë pasi shkeli Hector Bellerin brenda zones.
“Bëmë një performance të shkëlqyer kundër Leipzigut, por nuk e përsëritëm sot. Ne duhet ta gjejmë pse, të shohim detajet dhe gabimet tek vetja. Nuk mund të bëj një ndërhyrje të tillë. Mendova se do ta prekja topin, nuk e bëra dhe na kushtoi golin sot. Ne të gjithë, duke filluar nga unë, duhet të bëjmë më mirë.”
Pogba shpjegoi se aspekti mbrojtës nuk është një nga armët e tij të forta dhe se ai duhet të përmirësohet.
“E dija që isha në zonë dhe e dija se do të ishte një gabim. Në fund të fundit, nuk mund të shkaktoj një penallti të tillë. Duhet ta lija ta merrte topin dhe të përpiqesha t’i bllokoja krosimin. Ndoshta më kapi ngërçi për shkak të vrapimit pak më parë dhe kjo më shtyu të bëja këtë gabim idiot. Do të nxjerr mësime nga kjo. Nuk jam mbrojtësi më i mirë në fushë dhe duhet të punoj për këtë.”
Top Channel