Një prift ortodoks është plagosur me armë sot pasdite në qytetin francez të Lyon ndërsa sulmuesi është arratisur. Incidenti i rëndë vjen pas një seri sulmesh urrejtje kësaj jave ne vend.
Prifti u dërgua në spitalin lokal pasi u godit nga plumbi në bark, i tha mediave një zyrtar i policisë, ndërsa sulmuesi kishte përdorur një pushkë gjuetie.
Ministria e brendshme e Francës tha se një “incident serioz” ka ndodhur në zonën Jean-Macé në Lyon, dhe forca të shumta sigurie kishin ardhur në skenë.
Motivi për sulmin është ende i paqartë por kryeministri i vendit Jean Castex tha: “Ky është një incident serioz dhe detajet janë ende duke dalë. Është ngritur grupi i krizës”.
Zhvillimi vjen pasi rezidentët e Francës u paraljmëruan të presin të tjera sulme pas vrasjes brutale të tre personave të enjten në një kishë në Nice, nga një i ri që thërriste ‘Allahu Ekbar!’ (Zoti është më i Madhi).
Tre sulme të tjera ishin ndaluar atë ditë ndërsa dje një burrë u arrestua në Paris pasi kishte tentuar të sulmonte me thikë disa oficerë të policisë.
Incidentet vijnë dy javë pasi një mësues shkolle fillore në Paris u vra me prerje koke nga një 18-vjecar musliman, i zemëruar pasi mësuesi kishte treguar në klasë karikatura të Profetit Mohamed.
Presidenti Emmanuel Macron e ka shpallur vendin nën sulm dhe ka dislokuar ushtrinë për të mbrojtur vendet e lutjes dhe shkollat. Minsitri i brendshëm Gerald Darmanin tha se vendi është “në luftë kundër ideologjisë islamiste”.
Top Channel