“Ne nuk do të dorëzohemi para virusit”/ Trump – Biden, vazhdojnë fushatat

31/10/2020 11:29

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden vazhduan fushatën e tyre më 30 tetor në tri shtete kyçe, që me gjasë do të luajnë rol kyç se kush do të fitojë garën presidenciale.

Trump mbajti tubime në Miçigan dhe Viskonsin – dy shtete ku më 2016 fitoi, por që tani, sipas sondazheve, është prapa Bidenit. Më pas ai vazhdoi fushatën në Minesota, ku më 2016, me një diferencë të vogël, humbi.

Biden ndërkaq, mbajti tubime në Ajova, një shtet ku, sipas sondazheve, gara është e ngushtë ndërmjet tij dhe presidentit republikan, Trump. Më pas Biden, mbajti tubime edhe në Minesota dhe Vinskonsin.

Këto shtete janë goditur keq nga pandemia e koronavirusit. Pandemia dhe kriza ekonomike është në qendër të debatit për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Trump dhe Biden kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket krizës me pandeminë.

Trump vazhdon ta minimizojë pandeminë, duke u fokusuar në premtimet për trajtimet mjekësore dhe për një vaksinë kundër koronavirusit, teksa shtyn përpara idetë e tij për ringjallje ekonomike. Në anën tjetër, Biden premton se do ta vë nën kontroll virusi, që ka lënë të vdekur pothuajse 230,000 amerikanë, duke thënë se do të bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskave.

Ish-nënpresidenti amerikan, gjatë fushatës në Ajova tha se “në dallim nga Donald Trumpi, ne nuk do të dorëzohemi para virusit”. Trump është tallur me paralajmërimin e Bidenit se Shtetet e Bashkuara do të përballen “me një dimër të gjatë dhe të errët”. Strategjia e presidentit Trump është që të fitojë në mesin e personave që janë lodhur nga kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë dhe që presin t’i kthehen jetës normale, duke iu thënë atyre se fundi i pandemisë është afër.

“Ai tha dimër i gjatë dhe i errët. Kjo është e mrekullueshme. Kjo është çka i duhet shtetit, një dimër i gjatë dhe i errët dhe një lider që flet për këtë gjë”, tha Trump gjatë tubimit në Miçigan.

Por, Biden ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit se ai, nëse zgjidhet president, do të mbyll sërish ekonominë.

“Unë nuk do ta mbyll vendin. Unë do ta mbyll virusin”, tha Biden.

Vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit, pothuajse 85 milionë qytetarë amerikanë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar më herët. Kjo shifër përbën rreth 60 për qind të daljes në zgjedhjet e vitit 2016. Sondazhet sugjerojnë se Biden qëndron para Trumpit me të paktën tetë pikë, por disa shtete kritike pritet të përcaktojnë se kush do të fitojë zgjedhjet.

Top Channel