Meta nxjerr thirrjen e tretë për Avokaten e Shtetit: Informacion për çështjet në Arbitrazh dhe vendimet e gjykatave

31/10/2020 12:11
Presidenti Ilir Meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkon sërish informacion Avokates së Shtetit për çështjet në proces dhe vendimet e gjykatave të Arbitrazhit ku shteti shqiptar është palë.

Sot Presidenca ka publikuar thirrjen e tretë që i drejtohet avokaturës së shtetit ku jepen dhe datat e dy thirrjeve të para.

“Janë bërë plot 3-muaj e 15 ditë pa asnjë përgjigje! Me shkresën me nr. prot. 2391/1, datë 14.09.2020, Ju është kërkuar për herë të dytë përcjellja e informacionit të kërkuar 3 muaj më parë, mbi çështjet në proces dhe vendimet e gjykatave të arbitrazhit ku shteti shqiptar është palë.
Në këtë shkresë të dytë ju është lënë një afat 4-ditë pune për ta përcjellë informacionin e kërkuar. Sot bëhet plot 1 muaj e 15-ditë, pa asnjë përgjigje edhe për këtë shkresë të dytë!

Presidenti i Republikës nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare me të dhënat për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e Avokaturës së Shtetit e që lidhen direkt me interesin publik dhe sigurinë e financave të vendit”, thuhet në thirrjen e tretë të Presidentit.

Sipas shkresës Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 92/h të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkon dhe mbetet ende në pritje të të dhënave të kërkuara për 3 muaj rresht, informacion ky mbi:

Numrin e çështjeve në proces pranë Gjykatave të Arbitrazhit, ku Republika e Shqipërisë është palë dhe të dhënat rreth tyre, përfshirë strukturën që ndjek këto çështje;

Nëse për çështjet në proces në Gjykatat e Arbitrazhit janë kontraktuar shërbime të përfaqësimit dhe të konsulencës, përfshirë të dhënat mbi mënyrën e përzgjedhjes, kontraktimit, shpenzimet dhe pagesat e kryera për to, apo në pritje për t`u kryer;
Numrin e çështjeve të fituara nga shtetit Shqiptar në Gjykatat e Arbitrazhit;

Numrin e çështjeve të humbura në Gjykatat e Arbitrazhit, me të dhëna mbi:
Efektin financiar (detyrimin) për shtetin shqiptar sipas vendimit;

Shpenzimet administrative për mbulimin e kostove të procesit, përfshirë shpenzimet për kontraktimin e shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës, si dhe mënyrën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të tyre.

Po kështu Presidenca thotë më tej se ‘bazuar mbi çështjet e humbura në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, a ka referuar Avokatura e Shtetit deri më tani çështjet në organet përkatëse për nxjerrjen e përgjegjësive individuale administrative, civile dhe/ose penale për dëmin e shkaktuar ndaj interesave financiare të shtetit shqiptar, apo jo”.

Institucioni i Presidentit të Republikës deklaron do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për referimin e rastit të shpërdorimit të detyrës në organet ligjzbatuese, për secilin prej personave që me veprime apo mosveprime, është bërë pengesë për dhënien e këtij informacioni, dhe që po krijon edhe më shumë bindjen e arsyeshme të bazuar në prova dhe ligj se po bëhen përpjekje për të mbuluar veprime të tjera të dënueshme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për shtetin shqiptar.

“Përmes kësaj shkrese, ju bëjmë thirrje të reflektoni e të mos rëndoni edhe më shumë pozitën tuaj si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, duke bashkëpunuar në kryerjen e veprimeve që mund të klasifikohen si vepra penale me pasoja të rënda për vendin, dhe të mos pengoni Kreun e Shtetit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese.
Nëse ju po pengoheni, apo jeni urdhëruar, për mos ta dhënë këtë informacion për Kreun e Shtetit, atëherë ju kujtojmë se sipas ligjit ju sërish mbartni detyrimin për të informuar Kreun e Shtetit, si dhe organet e ndjekjes penale, për konsumimin e një tjetër vepre penale”, paralajmëron Presidenti.
Ndërkohë Kreu i Shtetit ka dhe një apel për ministren e Financave dhe Ekonomisë.

“Referuar kësaj situate aspak të logjikshme, Presidenti i Republikës në mbështetje të nenit 92/h të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkon nga ana juaj një informacion të plotë mbi të gjitha detyrimet financiare të shtetit shqiptar përkundrejt palëve të treta që ju i keni identifikuar tashmë si detyrim për shlyerje dhe që kanë ardhur si pasojë e humbjes prej shtetit Shqiptar të çështjeve në Gjykatat/Dhomat e Arbitrazhit, si dhe praktikat respektive dokumentare (përfshirë vendimet e gjykatës së arbitrazhit) mbi bazën e të cilave ju jeni informuar për vlerën e detyrimit për t’u shlyer”, thuhet në shkresë.

Top Channel