Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se për shkak të sjelljes së Serbisë dhe të Bashkimit Evropian, procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është duke e humbur kuptimin dhe se ky proces po “shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për t’i vënë në harresë krimet e saj”.

Sipas Mustafës, partia e së cilit udhëheq me qeverinë, autoritetet e Kosovës janë treguar të përkushtuar për procesin e dialogut me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Por, ky përkushtim i yni, kam përshtypje se nuk po vlerësohet nga BE-ja. Bile ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës. Ndërkaq, Kosova e ka shpallur pavarësinë me mbylljen e atyre temave në ‘Pakon e Ahtisarit’”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook . Mustafa ka rikujtuar se ministrat e Qeverisë së re të Serbisë, që u zgjodh më 28 tetor, gjatë betimit të tyre thanë se do të jenë të përkushtuar për ruajtjen e “Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

“Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të Qeverise serbe! A mundet BE të japë shpjegimin e saj?”, ka pyetur Mustafa.

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti insiston që Kosova në dialog me Serbinë shkon vetëm për një marrëveshje finale, e cila do të kishte në vete njohjen reciproke. Autoritetet në Prishtinë refuzojnë që të bisedojnë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Beogradi zyrtar insiston që ky organ të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Top Channel