Gjykata refuzon apelin që kërkon ndalimin e armëve pranë qendrave të votimit në Miçigan

31/10/2020 02:50

DETROIT – Gjykata e apelit në Miçigan refuzoi të shqyrtonte një apel nga një zyrtare demokrate e strukturave të këtij shteti që synonte të ndalonte mbajtjen e hapur të armëve pranë qendrave të votimit. Me një vendim 3-0, gjykata nuk pranoi të dëgjonte çështjen por vuri në dukje se është e paligjshme të frikësosh votuesit ose të tundësh armën në mënyrë agresive në publik.

“Kushdo që frikëson një votues në Miçigan duke ngritur armën e zjarrit apo, duke kërcënuar me thikë, shkop bejsbolli, grusht, apo sjellje të tjera kërcënuese, sipas ligjit ekzistues është duke kryer vepër penale,” tha gjykata. Trupi gjykues me tre anëtarë përfshin Brock Swartzle, i cili është kandidat për Gjykatën e Lartë të këtij shteti. Urdhri erdhi dy ditë pasi një gjykatës tha se Sekretarja e Shtetit Jocelyn Benson kishte tejkaluar autoritetin e saj duke ndaluar mbajtjen e hapur të armëve brenda 100 metrash nga një qendër votimi.

Procesi zyrtar
Gjykatësi Christopher Murray tha se kjo politikë nuk kaloi nëpër një proces zyrtar, të kërkuar sipas ligjit të Miçiganit për hartimin e rregulloreve. Zonja Benson, zyrtarja më e lartë e zgjedhjeve në këtë shtet, veproi pasi autoritetet federale më 8 tetor thanë se kishin shkatërruar një skemë të grupeve paraushtarake anti-qeveritare për të rrëmbyer Guvernatoren Gretchen Whitmer. Por disa sherifë të qarkut thanë se nuk do ta zbatonin urdhrin dhe gjithashtu Shoqata e Shefave të Policisë të Miçiganit e kishte hedhur poshtë atë.

Prokurorja e Përgjithshme Dana Nessel, një demokrate, tha se ajo tani do t’i kërkojë Gjykatës së Lartë të marrë nën shqyrtim çështjen. Zyra e saj nënvizoi një sondazh të fundjavës nga gazeta The Detroit News që tregon se 73% e qytetarëve të këtij shteti mbështesin një ndalim të armëve pranë qendrave të votimit. Avokatët që mbrojnë zonjën Benson thanë se Sekretarja e Shtetit ka të drejtën për të vendosur disa rregulla në lidhje me zgjedhjet. Ata citojnë votuesit të kenë thënë se do të shkurajoheshin të votonin nëse do të shihnin dikë me armë pranë qendrës së votimit. Disa nuk i besojnë mundësisë së votimit me postë.

“Ndërsa prania e armëve të zjarrit mund të qetësojë disa, e njëjta prani krijon shqetësime dhe madje edhe frikë tek të tjerët,” tha Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Ann Sherman. Steve Dulan, një avokat për Koalicionin e Pronarëve të Përgjegjshëm të Armëve në Miçigan, tha se anëtarët e grupit ishin të zemëruar nga “portretizimi negativ” që u bëhej në urdhrit e sekretares Benson personave që mbajnë armë./VOA

Top Channel