Bredhi i Hotovës/ Parku i rrallë në Shqipëri, por që ka sfidë menaxhimin

31/10/2020 12:26

Bredhi i Hotovës një prej parqeve më të rrallë natyrorë në Shqipëri po njeh një rritje të numrit të botës shtazore që e popullon atë si dhe një interes të lartë prej vizitorëve. Parku ka sfida në rritje të menaxhimit, për shkak të sipërfaqes së gjerë prej rreth 1200 ha, sipërfaqe që mbrohet nga rojtarë pyjorë në numër minimal me një raport prej 1 rojtar për rreth 8000 ha zonë e mbrojtur.

Kreu i Agjensisë së Zonave të Mbrojtura ka theksuar nga parku i Hotovës se ende popullsia që përfiton prej parkut duhet të ndërgjegjësohet për mbrojtjen e tij ndërsa duhet të marrin fund edhe ndërhyrjet e paligjshme prej bizneseve. Megjithëse sipas tij parku nuk ka regjistruar raste të prerjeve të paligjshme apo edhe të gjuetisë zona të tjera të rralla natyrore në Jug si Zagoria dhe lugina e Vjosës po përballin si problemin e prerjeve dhe gjuetisë së paligjshme edhe atë të ndotjes masive.

Ndërkaq falë Cooperazione Italiana parkut do ti shtohet një program i ri. Programi sipas koordinatorit lokal i sjell banorët më afër këtij aseti kombëtar dhe i bën ata përtifues përmes nxitjes së iniciativave turistike.

Klipi Giovanni Timillero përgjegjës i programeve për Sektorin e Mjedisit dhe Natyrës AICS Tiranë: “ Programi ynë synon ta bëjë më të njohur parkun dhe gjithashtu kërkon t’ju provojë njerëzve se kanë arsye për ta vizituar. Eksperienca nuk është eksperimentale. Kjo po transferohet këtu pasi është aplikuar me sukses tek disa komunitete në Itali. Njerëzit dhe ofruesit e shërbimeve brenda territorit të parkut do jenë në qendër të programit.”

Bredhi i Hotovës shtrihet mes lartësive 800 dhe 1600 m në bashkinë e Përmetit dhe përveç bredhit maqedonas ai është edhe habitati i ilqes, mjedrës, dëllënjës, shkozës, panjës. Pylli strehon kafshë të rralla si ariu i murrmë, rrëqebulli, derri i egër, ujku, dhelpra e ketri ndërsa krenohet me praninë e kaprollit që vizitorët mund ta ndeshin me sy të lirë në thellësi të pyllit.

Top Channel